20.3 C
Tetovo
E premte, 4 Korrik, 2025
BallinaLajmeASH: Hartimi i librave të historisë për shkollat e mesme dhe fillore...

ASH: Hartimi i librave të historisë për shkollat e mesme dhe fillore fyes dhe skandaloz për shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët, ka akuzuar për mënyrë joprofesionale, tendencioze dhe diskriminuese me të cilën është përpiluar programi i ri mësimor për lëndën e historisë në arsimin fillor dhe të mesëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Siç thonë nga kjo parti, edhe pse në parim e mbështesin nevojën për një reformë të kurrikulave, “nuk mund të heshtim përballë një deformimi kaq flagrant të së vërtetës historike, përjashtimit të ekspertëve shqiptarë nga procesi i hartimit të programeve dhe përpjekjeve të qarta për të zbehur, relativizuar apo përçudnuar identitetin historik të shqiptarëve në këto troje”, thuhet në reagim.

“A ka përfshirje të historianëve shqiptarë? Në një shtet që quhet multietnik, përjashtimi i historianëve shqiptarë nga grupet punuese për hartimin e kurrikulave është një skandal institucional dhe një ofendim i drejtpërdrejtë ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Mungesa e tyre ka prodhuar përmbajtje jo vetëm të pasakta, por edhe thellësisht të rrezikshme për formimin historik të nxënësve. Shembuj flagrantë të falsifikimit dhe amatorizmit: Titulli “Ilirët dhe dardanët” është absurd dhe joshkencor, pasi dardanët janë pjesë e pandashme e trungut ilir. Në mesjetë, shqiptarët njiheshin si “arbër” dhe vendi i tyre si “Arbëri”. Ky fakt elementar historik nuk mund të fshihet apo deformohet me arrogancë burokratike! Zbehje sistematike e historisë shqiptare: Krahasuar me programet e mëparshme, përmbajtjet që trajtojnë historinë e popullit shqiptar janë përgjysmuar apo zhdukur krejtësisht, duke i dhënë përparësi historisë së popujve të tjerë në rajon. Kjo përbën një zvogëlim të qëllimshëm të kontributit të shqiptarëve në historinë ballkanike dhe evropiane, si dhe një përpjekje për të relativizuar ekzistencën e tyre në këto troje. Kaos kronologjik dhe strukturor: Programet vuajnë nga mungesa e rendit logjik dhe kronologjik, ndërkohë që ngjarjet dhe proceset historike shqiptare janë trajtuar në mënyrë fragmentare, të cunguara dhe shpesh të paqarta, gjë që rrezikon të deformojë njohuritë historike të brezave të rinj”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Aleanca për Shqiptarët kërkoi që Ministria e Arsimit të ndalojë miratimin e teksteve mësimore që bazohen në këto programe problematike.

“Ka ende kohë për të reflektuar dhe për të përfshirë historianët shqiptarë në mënyrë të barabartë dhe profesionale, ashtu që programet të reflektojnë realitetin historik dhe kulturor të të gjithë qytetarëve të vendit. Ky nuk është një apel i zakonshëm, por një thirrje e fuqishme për drejtësi, barazi dhe dinjitet në trajtimin e të kaluarës sonë të përbashkët. Nëse historia shkruhet gabim sot – e ardhmja do të ndërtohet mbi gënjeshtra nesër”, thonë nga ASH.

Kujtojmë se Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në RMV ka kërkuar të hiqet nga përdorimi i librit të historisë për klasën e shtatë të shkollave fillore në Maqedoninë e Veriut. Këtë e ka kërkuar, për shkak se siç thonë, libri nuk është në përputhje me parimet e ndarjes së institucioneve fetare nga shteti. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit e fajëson udhëhqësinë paraprake, thonë se vijon procedura e hartimit të librit të ri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments