Bashkimi Demokratik për Integrim ndjek me shqetësim të thellë fushatën e koordinuar për diskreditimin e procesit të fundit të regjistrimit të popullsisë, një proces ligjor, transparent dhe tërësisht i monitoruar nga faktori vendor dhe ndërkombëtar.
Kjo fushatë, siç thotë BDI, nuk është e rastësishme.
“Ajo është pjesë e një skenari më të gjerë për të rishkruar të gjitha arritjet e dekadës së fundit, për të bërë një regjistrim të ri sipas agjendave të reja politike, dhe për të rikthyer pabarazinë sistematike. E gjithë kjo është përpjekje e rrezikshme për të minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, për të kontestuar barazinë e fituar me shumë mund dhe për të prishur marrëdhëniet ndëretnike në vend”.
BDI dënon fuqishëm këtë përpjekje dhe njofton se çdo aktor politik, institucional apo propagandistik që synon të minojë rendin kushtetues, Marrëveshjen e Paqes, barazinë etnike dhe bashkëjetesën, do të mbajë përgjegjësi politike, ligjore dhe morale.
“Nuk do të lejojmë që dekada përpjekjesh dhe sakrificash të nëpërkëmben për interesa ditore politike. Paqe, barazi dhe bashkëjetesë janë vija të kuqe për të cilat BDI do të qëndrojë gjithmonë në ballë të mbrojtjes”.