Ambasada e SHBA-së në Shkup ka njoftuar se procesi i aplikimit për vizë studentore do të rifillojë së shpejti. Sipas rregullave të reja, aplikantët do t’i nënshtrohen një kontrolli të plotë të së kaluarës dhe do të jenë të detyruar t’i bëjnë profilet e tyre në rrjetet sociale të disponueshme publikisht.
“Departamenti i Shtetit është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur vendin dhe qytetarët tanë duke iu përmbajtur standardeve kombëtare dhe të sigurisë publike përmes procesit të lëshimit të vizave. Një vizë amerikane është një privilegj, jo një e drejtë. Në procesin e verifikimit, ne përdorim të gjithë informacionin e disponueshëm për të identifikuar individët që janë të papranueshëm në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ata që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare”, tha Ambasada e SHBA-së në një deklaratë.
Në kuadër të këtyre masave, do të kontrollohen aktivitetet online të çdo studenti dhe pjesëmarrësve në programin e shkëmbimit, ndërsa kandidatët do të duhet të rregullojnë cilësimet e privatësisë në profilet e tyre sociale që ato të jenë të disponueshme për shqyrtim.
“Çdo vendim për vizë është në thelb një vendim sigurie. Shtetet e Bashkuara duhet ta trajtojnë me kujdes procesin e lëshimit të vizave për t’u siguruar që aplikantët nuk kanë qëllime që mund të dëmtojnë amerikanët ose interesat tona kombëtare”, shtojnë nga Ambasada e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.