Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti ka njoftuar se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të martën tjetër pritet të kalojë në Qeveri.Ai ka bërë të ditur disa detaje nga Ligji dhe rëndësinë e tij, duke shtuar se ky Ligj do ta eliminon problemin e së kaluarës kur gjatë punësimeve qytetarët janë deklaruar ndryshe nga përkatësia etnike të cilës i kanë takuar.
“Do të bëhet i obligueshëm për çdo udhëheqës në nivel lokal dhe qendror për shkak se në momentin që nuk e respekton, ka shkel ligjin, pra do të ballafaqohet me shkelje ligjore. Po ashtu ka një zgjidhje kreative sepse përkatësia etnike nuk ka nevojë të deklarohet sepse në bazë të letërnjoftimit, dokumenteve tjera personale evidentohet se cilës përkatësi i takon dhe në bazë të kësaj e merr edhe përfaqësimin adekuat në administratën shtetërore. Është edhe një gjë tjetër sepse eliminon një problem të së kaluarës që gjatë punësimit, gjatë seancave parlamentare shpesh herë kemi pasur deklarime ndryshe nga ajo që i takon”, deklaroi Mexhiti.
Sipas Mexhitit ky Ligj pritet të kalojë edhe në Kuvend para zgjedhjeve lokale, pasi sipas tij, të gjithë kanë deklaruar se përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese.
Megjithatë bëri të ditur se Ligji do të kalojë edhe nëpër filtrin e Komisionit të Venecias.“Të merret vendimi edhe i Komisionit të Venecias dhe të rikthehet në Kuvend që të bëhet e plotfuqishëm”, tha Mexhiti.