Zv.kryeministri Arben Fetai përmes një statusi në rrjetet sociale i drejtohet bashkëpartiakëve të tij.
“Të dashur aktivistë të Aleancës për Shqiptarët,
Kundërshtari ynë i vetëm është BDI-ja.
Ne nuk kemi kohë të merremi me patericat e saj – kushdo qofshin ata – që përpiqen të faktorizohen në kurrizin tonë.
Ne jemi në rrugën tonë të drejtë, në rrugën e ndryshimit që e kërkuan me votë të pastër 107.000 shqiptarë. Ne i dhamë besën këtij populli se do të luftojmë keqqeverisjen, korrupsionin dhe zhvatjen e parave tona. Dhe nuk do defokusohemi nga ky mision.
Protagonizmi dhe provokimet nga individë që zgjodhën t’i shërbejnë të keqes nuk na ndalin. Ata kanë zgjedhur rrugën e tyre, rrugën e turpit dhe të nënshtrimit. Populli tashmë i ka çveshur dhe do t’i gjykojë.
Ndërkohë, për bashkëaktivistët tanë që mund të jenë mashtruar apo keqinformuar, duhet t’ua shtrijmë dorën. Ata janë vëllezërit dhe motrat tona. Dhe jemi të bindur se as ata nuk do ta pranojnë bashkëpunimin me BDI-në.
Prandaj ju ftoj, mos bini në grackën e provokimeve dhe protagonizmit. Ne kemi një mision shumë më të madh dhe një popull që na beson. Detyra jonë është të qëndrojmë të bashkuar, të matur dhe të përqendruar në punët që i kemi përpara”, ka shkruar Fetai.