Policia e Kosovës ka njoftuar për rezultatet e planin operativ “Ditët e veprimit të përbashkët “JAD SEE 2024 ”, në të cilin ndër te tjera thuhet se janë identifikuar 10 raste të marrjes me prostitucion dhe janë arrestuar 21 persona të dyshuar.
Në realizim të këtij plani përveç operacioneve të përbashkëta me inspektorë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe Administratës Tatimore të Kosovës dhe inspektorë të punës në inspektimin/kontrollimin e lokaleve, thuhet se është realizuar edhe plani taktik lidhur me eskorta.
“Gjatë këtij plani janë sekuestruar gjithsej 73 dokumente nga personat e huaj, të cilët janë referuar në Departamentin për migrim dhe të huaj për verifikim dhe trajtim sipas ligjit për të huaj, ku 1 person gjatë verifikimit ka rezultuar me urdhër arrest aktiv dhe i është dorëzuar stacionit përkatës për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se janë realizuar operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim të fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit.
Në njoftim thuhet se janë iniciuar 7 raste për veprat penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, ku thuhet se janë arrestuar 7 të dyshuara si dhe janë identifikuar 7 fëmijë lëmoshëkërkues.
Planin operativ “Ditët e veprimit të përbashkët “JAD SEE 2024 ”, ka qenë planifikim dhe aktivitet i EMPACT-it, në të cilin përveç Kosovës, kanë marrë pjesë edhe shumë shtete tjera si: Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Bosnja Hercegovina, Serbia, Moldavia, Ukraina, Rumania, Bullgaria, Spanja, Franca, si dhe përfaqësues nga EUROPOL, FRONTEX si dhe INTERPOL.