Shok për botën e qytetëruar: Rusia lëshoi një raketë balistike eksperimentale ndërkontinentale në Ukrainë për herë të parë të enjten në mëngjes. Raketa RS-26 Rubesh prej 50 tonësh goditi një periferi të qytetit të Dnipro me 1 miilion banorë.
Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha: “Mëngjesin e 21 nëntorit 2024, midis orës 5 dhe 7 të mëngjesit, trupat ruse sulmuan qytetin e Dnipros me raketa të llojeve të ndryshme. Në veçanti një raketë interkontinentale nga rajoni Astrakhan i Federatës Ruse”.
Një ditë më parë, pati zëra për një përdorim të afërt të një rakete RS-26, të cilat qeveria ukrainase i hodhi poshtë pasdite si “dezinformim rus”.
Sipas këtyre zërave, hedhja e raketës me kokën e saj 1.2 ton dhe një rreze prej 2.000 deri në 6.000 kilometra, ishte planifikuar si një përgjigje ndaj përdorimit të raketave amerikane ATACMS nga Ukraina në Rusinë perëndimore.
Me raketën RS-26, Rusia është përpjekur për disa vite të anashkalojë Traktatin INF që kufizon raketat me rreze të mesme veprimi.
Kremlini shpjegoi se raketa normalisht fluturon më shumë se 5500 kilometra dhe për këtë arsye është një raketë klasike balistike ndërkontinentale.
Në fakt, raketa u modifikua në mënyrë që të mund të sulmonte edhe objektiva më të afërta – pak më shumë se 2000 kilometra larg. Prandaj, në mënyrë rigoroze, ajo është një raketë me rreze të mesme e maskuar si një armë me rreze të gjatë.
Është hera e parë në historinë e luftës që një “raketë balistike ndërkontinentale” përdoret teknikisht. Pasi raketat ATACMS u përdorën kundër objektivave në Rusi, politikanët rusë kërcënuan se Putini do të përdorte “armë të reja” për të “dënuar regjimin e Kievit dhe SHBA-në”.