8.5 C
Tetovo
E martë, 19 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaÇfarë është "doktrina bërthamore" e Rusisë që Putini e përmend shpesh?

Çfarë është “doktrina bërthamore” e Rusisë që Putini e përmend shpesh?

Associated Press

Prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, më 2022, presidenti rus, Vladimir Putin dhe zëra tjerë të Kremlinit, kanë kërcënuar shpesh Perëndimin me arsenal bërthamor.

Në ditën e parë të luftës, Putin ka thënë se “kushdo që përpiqet të na pengojë, e lëre më të krijojë kërcënime për shtetin dhe njerëzit e tij, duhet të kujtojë që përgjigjja ruse do të jetë e shpejtë, dhe do të rezultojë me pasoja që nuk janë parë kurrë në histori”.

Pas gati dy vjetësh e gjysmë luftime, Perëndimi i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë të miliarda dollarëve, disa prej të cilave kanë goditur edhe tokën ruse.

Ndonëse kërcënimet e Kremlinit janë përsëritur disa herë – përfshirë ato për dërgimin e armëve bërthamore në Bjellorusi, në afërsi të kufirit me Ukrainën – gjithçka ka mbetur në kuadër të deklarimeve.

Çfarë do të mund të nxiste përgjigje bërthamore?

Kur i është bërë kjo pyetje në qershor, nga agjenci ndërkombëtare të lajmeve, Putin e ka përmendur sërish të ashtuquajturën doktrinë bërthamore.

“Shikojeni çfarë është shkruar këtu”, ka thënë ai në një takim në Shën Petersburg.

“Nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, ne konsiderojmë që mund të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”.

Disa zëra në Rusi po i bëjnë thirrje Putinit që të ndryshojë doktrinën, për të ulur rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.

Vetë presidenti rus ka thënë se dokumenti do të mund të modifikohet, duke marrë parasysh situatën globale.

Doktrina bërthamore

E njohur formalisht si “Parimet bazike të politikës shtetërore për mbrojtje bërthamore”, deklarata është nënshkruar nga Putini më 2020 dhe ajo parasheh se kur do të mund të përdorte Rusia arsenalin e vet bërthamor – më të madhin në botë.

Në atë dokument, armët bërthamore përshkruhen si “mjete mbrojtëse”, dhe që mund të përdoren në “situata ekstreme”.

Aty, gjithashtu, përmendet se, Rusia “do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zvogëluar kërcënimin bërthamor, dhe do të parandalojë përshkallëzimin e tensioneve që mund të nxisin konflikte ushtarake, përfshirë ato bërthamore”.

Mes tjerash, përmendet që “mbrojtja bërthamore synon t’ia bëjë të ditur armikut që hakmarrja është e pashmangshme në rast të agresionit kundër Federatës Ruse apo aleatëve të saj”.

Faktorët nxitës të përdorimit të armëve bërthamore

Sipas doktrinës, Rusia do të mund t’i përdorte këto armë “si përgjigje ndaj përdorimit të armëve, apo armëve tjera të shkatërrimit në masë ndaj aleatëve të saj, si dhe në rast të agresionit kundër Federatës Ruse, përfshirë përdorimin e armëve konvencionale, kur rrezikohet ekzistenca e shtetit”.

Sipas doktrinës, armët bërthamore do të mund të përdoren në situata specifike:

  • Nëse sigurohet informacion i besueshëm për nisjen e një rakete balistike, që shënjestron territorin e Rusisë, apo të aleatëve.
  • Nëse sulmi i armikut me armë konvencionale kërcënon ekzistencën e Rusisë.
  • Nëse kryhen sulme në objekte tejet të rëndësishme të Qeverisë, apo ushtrisë ruse, të cilat mund të minojnë kapacitetet shtetërore për hakmarrje me sulm bërthamor.

A ka pasur rrezik të ndonjë sulmi të tillë deri më tani?

Pasi Rusia ka sulmuar disa pjesë në veriperëndim të Ukrainës, afër qytetit të Harkivit, Uashingtoni ia ka lejuar Kievit t’i përdorë armët amerikane me rreze më të gjatë, për sulme në territoret kufitare ruse.

Megjithatë, këto sulme kanë qenë më të kufizuara dhe nuk konsiderohen si kërcënim ekzistencial, sipas doktrinës bërthamore.

Por, kohë pas kohe ka pasur zëra në Moskë që kanë folur për një seri të sulmeve ukrainase në bazat ajrore ruse, në të cilat gjenden bombardues bërthamorë me rreze të gjatë, apo në radarë të paralajmërimit të hershëm.

Sipas këtyre zyrtarëve, këto situata mund të garantojnë përdorimin e armëve bërthamore, bazuar në parimet e doktrinës.

Zyrtarët rusë nuk i kanë komentuar sulmet në shënjestra më sensitive.

Radarët e paralajmërimit të hershëm janë të dizajnuar për të identifikuar nisjen e raketave amerikane, në mënyrë që Rusia t’i lëshojë raketat e veta, para se ato të shkatërrohen.

James Acton, bashkëudhëheqës i programit për politika bërthamore në Institutin Carnegie, ka thënë në një shkrim të publikuar së fundmi se, sulmet ukrainase në radarët e paralajmërimit të hershëm mund të nxisin Kremlinin të mendojë se Uashingtoni i ka kryer ato sulme për të dobësuar mbrojtjen bërthamore të Rusisë.

“Nëse Moska beson që Uashingtoni do të mund të kryente sulm në forcat e saj bërthamore, gishti i këmbëzës mund të shtrëngohet shumë, duke rritur rrezikun që Rusia të nisë sulm të madh bërthamor, të bazuar në paralajmërime të rreme, apo të gabuara”, ka thënë Acton.

Diskutimet për ndryshim doktrine

Kërcënimet bërthamore të Kremlinit janë zbutur deri në një masë, pas fitoreve që ka shënuar Moska në fushëbetejë në javët e fundit.

Megjithatë, ka pasur edhe thirrje në rritje në Rusi që të ndryshohet doktrina bërthamore, dhe vetë Putin ka thënë se ajo mund të modifikohet, varësisht prej zhvillimeve globale.

Ka zëra në Rusi që bëjnë thirrje për ashpërsim të retorikës në dokument, me arsyetimin se aktualisht ai ka mangësi të theksuara. Sipas tyre, doktrina nuk ia ndalon Perëndimit që të rrisë ndihmën për Ukrainën dhe jep përshtypjen që Moska nuk do t’i përdorë ndonjëherë armët bërthamore.

Eksperti për çështje të jashtme, Dmitri Trenin, prej Institutit të Ekonomisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare – institut në Moskë që financohet prej shtetit – ka sugjeruar rishikimin e dokumentit, për të përmendur që Rusia mund të lëshojë armën e parë bërthamore kur “interesuat kryesore kombëtare janë në rrezik”, sikurse është rasti me Ukrainën.

“Detyra kryesore në vitin e tretë të përballjes ushtarake është që të parandalohet angazhimi i mëtejmë i NATO-s në të”, ka shkruar Trenin së fundmi.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, inercia e përshkallëzimit të vazhdueshëm prej Perëndimit do të çojë në përplasje direke në mes të ushtrisë së Rusisë dhe atyre të Perëndimit, dhe kështu krijohet luftë bërthamore globale”.

Në një forum ndërkombëtar në Shën Petersburg, Sergei Karaganov, ekspert për politika të jashtme, që këshillon Kremlinin, i ka bërë thirrje Putinit të ulë pragun e përdorimit të armëve bërthamore.

“Shpresoj që do të ndryshohet shpejt për t’iu dhënë juve të drejtën formale për t’iu përgjigjur ndonjë sulmi në territorin tonë, me sulm bërthamor”, i ka thënë ai liderit rus.

“Shpresoj që kjo pikë do të shtohet në doktrinë për t’ua ulur kokën armiqve tanë”.

Karaganov e ka përshkruar Perëndimin me Sodomin dhe Gomorrahun, dy qytete që përmend në Bibël, të shkatërruara nga Zoti me një shi zjarri, për shkak të ligësisë së tyre.

“Le ta kujtojmë atë dhe shi dhe të tentojmë t’ia kthejmë vetëdijen njerëzimit”, ka thënë ai.

Putin është përgjigjur me kujdes, duke thënë se aktualisht nuk sheh kërcënim që do të kërkonte përdorim të armëve bërthamore, mirëpo që e mban të hapur mundësinë e rishikimit të politikës.

“Doktrina është instrument i gjallë, ne jemi duke shikuar me kujdes se çfarë po ndodh në botën rreth nesh, dhe nuk e përjashtojmë mundësinë e bërjes së ndryshimeve në doktrinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nevoja për të modifikuar dokumentin është nxitur pas shqetësimeve se Perëndimit mund të ketë të pozicionuara armë bërthamore në pajisje me fuqi më të vogël.

Putin nuk ka përmendur hollësi, mirëpo komentet e tij mund të jenë referencë për diskutimet amerikane lidhur me vendosjen e raketave bërthamore në nëndetëse me fuqi më të vogla.

Përkrahësit e idesë besojnë se këto armë janë të nevojshme për t’i luftuar kërcënimet ruse, derisa kritikët argumentojnë se ashtu mund të ulet pragu i përdorimit të armëve bërthamore amerikane, dhe mund të rriten rreziqet për luftë.

“Po zhvillohen pajisje bërthamore me fuqi të vogla, dhe ne jemi në dijeni të qarkullimit të ideve në qarqet e ekspertëve të Perëndimit, që këto pajisje mund të përdoren, dhe që nuk ka asgjë të tmerrshme aty”, ka thënë Putin.

“Ne jemi të obliguar të marrim shënime, dhe jemi duke marrë shënime”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments