0.8 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaEkonomiBE-ja rrit tarifat mbi automjetet elektrike kineze

BE-ja rrit tarifat mbi automjetet elektrike kineze

Bashkimi Evropian ka vendosur të rritë tarifat për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë deri në 45.3 për qind, në fund të një hetimi tregtar .

Pak më tepër se një vit pas nisjes së hetimit antisubvencion, Komisioni Evropian do të vendosë tarifa shtesë që shkojnë nga 7.8 për qind për “Tesla”-n në 35.3 për qind për kompaninë kineze SAIC, përveç taksës standard të BE-së për importin e makinave prej 10 për qind.
Tarifat shtesë u miratuan zyrtarisht dhe u botuan në “Fletoren zyrtare” të BE-së të martën, çka do të thotë që ato kanë hyrë në fuqi të mërkurën.
Komisioni, i cili mbikëqyr politikën tregtare të BE-së, ka thënë se tarifat nevojiten për t’iu kundërvënë atyre që i quan subvencione të padrejta, duke përfshirë financimin preferencial dhe grantet, si edhe tokën, bateritë dhe lëndët e para, nën çmimet e tregut.

Kina ka shprehur kundërshtimin e vet ndaj këtij vendimi të BE-së. Pala kineze nuk e miraton apo pranon vendimin e Komisionit Evropian për të vënë tarifa shtesë mbi automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, tha të mërkurën një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë. Sipas tij, Kina ka e theksuar vazhdimisht që hetimi antisubvencion i BE-së për automjetet elektrike kineze është i paarsyeshëm, ka probleme të shumta mospërputhjeje dhe përbën një masë proteksioniste nën petkun e “konkurrencës së ndershme”.
Kina tashmë e ka apeluar vendimin në mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së dhe do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze.

Kundërshtime ka pasur gjithashtu edhe nga Britania e Madhe dhe Gjermania. Sipas një raporti nga “Politico” të martën, kreu britanik i biznesit është “i hapur” për të rinisur dialogun tregtar me Kinën. Jonathan Reynolds, sekretari britanik i Shtetit për biznesin dhe tregtinë, vuri në dukje se “tregtia është një fushë ‘ku bashkëpunimi me Kinën është i mundur’.”
Në tetor, gjatë Samitit Ndërkombëtar të Investimeve në Londër, Reynolds u tha gazetarëve se Britania e Madhe nuk në plan të ndjekë vendimin e BE-së për të vendosur taksa importi mbi makinat elektrike kineze.
Grupi kryesor i industrisë së automjeteve të Gjermanisë paralajmëroi të martën se vendimi i BE-së për të vendosur tarifa të larta mbi automjetet elektrike rrit rrezikun e “një konflikti tregtar me ndikim të gjerë”.
Tarifet shtesë janë “një hap prapa për tregtinë e lirë globale dhe, si pasojë, edhe për lulëzimin, ruajtjen e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në Evropë,” tha kryetarja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automjeteve Hildegard Mueller.

Lidhur me negociatat, Ministria kineze e Tregtisë vuri në dukje që BE-ja është ende e gatshme të vijojë bisedimet mbi premtimin për çmimet e automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë. “Kina nxit gjithmonë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare nëpërmjet dialogut e konsultimeve dhe ka bërë të gjitha përpjekjet për këtë qëllim,” vihet në dukje në një deklaratë të kësaj ministrie.
Aktualisht, ekipet teknike të të dy palëve po zhvillojnë një fazë të re konsultimesh.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments