Ministrja e Arsimit Vesna Janevska ka konfirmuar konstatimet për parregullsitë në Universitetin e Tetovës të cilat bazohen në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, raporton Portalb.mk.
Janevska tha se janë konstatuar disa parregullsi dhe se për momentin janë duke e përfunduar atë procedurë.
“Ja publikisht do të them, nevojitet harmonizim për pagesa të gjobave që duhet universiteti ti paguajë në raport me gabimet që i ka bërë dhe të gjithë aktorët në atë proces. Siç kam kuptuar universiteti po ndërmerr disa masa të caktuara, por kur e gjitha të përfundojë në afat prej disa ditëve, ja të them 10 ditë, ne do ta informojmë opinionin”, tha Janevska.
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) dje shpalosën disa nga shkeljet në Universitetin e Tetovës të cilat kanë dalë nga raporti i Inspektoratit të Arsimit, të cilat lidheshin me avancime në kundërshtim me ligjin, procedura për zgjedhjen e rektorit, senatin e universitetit dhe të tjera.
Ata përmendën edhe rastin e Merita Mustafait që është avancuar kundërligjshëm me thirrjen akademike ‘asistent’, pasi notën mesatare të ciklit të parë të studimeve e ka 7,7 – që bije ndesh me Ligjin për Arsim të Lartë.
“Prokuroria të nisë hetim të plotë mbi shkeljet e konstatuara nëse ka elemente të kryerjes së veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa MASh-it i rikujtojmë propozimin tonë për veting në Arsim të Lartë”, tha Blendi Hodai, drejtor i FNA-së.
Nga Universiteti i Tetovës për Portalb.mk thanë se sipas Zyrës për Çështje Juridike, Këshilli Mësimor – Shkencor i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara-UT, ka vepruar në bazë të vërejtjeve të Inspektoratit. Për rrjedhojë, Merita Mustafit ia ka anuluar thirrjen dhe ka filluar procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në Universitetin e Tetovës”.