14.2 C
Tetovo
E mërkurë, 2 Tetor, 2024
BallinaLajmeBotaSulmi i dytë hakmarrës i Iranit, Teherani godet Izraelin me 200 raketa...

Sulmi i dytë hakmarrës i Iranit, Teherani godet Izraelin me 200 raketa balistike. Paralajmërimi i Tel Avivit: Kundërpërgjigjja jonë do të ketë pasoja

Irani lëshoi ​​200 raketa mbi Izrael. Sulmi i dytë ushtarak i Teheranit erdhi si hakmarrje pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah të premten nga një sulm ajror izraelit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut dhe atij të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran gjatë një shpërthimi me bombë, i dyshuar se u krye nga agjentët e Mosad, në 31 korrik 2024. Garda Revolucionare e Iranit në një komunikatë tha se raketat e nisura nga Teherani “goditën në zemër të tokave të pushtuara”. Raketat e Iranit mbërritën në Tel Aviv, pjesa dërrmuese e tyre u interceptuan në ajër nga sistemi “Iron Dome” dhe sistemet antiraketore amerikane në rajon, një pjesë e vogël e tyre ranë në tokën izraelite, ndonëse autoritetet nuk raportojnë viktima, të lënduar apo dëme materiale nga sulmi.Në të njëjtën orë me sulmin e Iranit, në Izrael ndodhën dy sulme të tjera, njëri në një qendër tregtare në Tel Aviv dhe tjetri në metronë e Jaffa, një lagje e kryeqytetit izraelit. Sulmi i këtij të fundit i mori jetën 6 personave dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja është vlerësuar sulm terrorist.

Në valën e madhe të sulmit iranian, Presidenti amerikan, Joe Biden i dha udhëzime ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për të “ndihmuar Izraelin në mbrojtjen e tij dhe të rrëzonin raketat” që kishin synuar shtetin hebre. Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se “Biden dhe zv/presidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm në SHBA, po monitorojnë sulmin e Iranit ndaj Izraelit nga dhoma e operacioneve të Shtëpisë së Bardhë”.

Deklarata e mëpasme nga Shtëpia e Bardhë erdhi nga këshilltari për Sigurinë Kombëtare gjatë një konference me gazetarët, Jake Sullivan i cili raportoi se sulmi iranian ndaj Izraelit ishte mposhtur dhe bërë i paefektshëm falë profesionalizmit të IDF dhe mbështetjes amerikane, dhe nuk shkaktoi viktima apo dëme në asetet e vendit, sipas të dhënave të deriatëhershme.

Nga ana tjetër, liderët e Iranit e vlerësojnë të suksesshëm sulmin. “Ne goditëm 3 baza izraelite me raketa hipersonike. Ne kemi goditur tre baza ushtarake izraelite pranë Tel Avivit”, njoftoi Garda Revolucionare iraniane në një deklaratë të lëshuar në Teheran pas lëshimit të dhjetëra raketave kundër Izraelit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei tha se “fitorja vjen nga Zoti dhe pushtimi është afër”, duke shkruar në rrjetin social X pas sulmimt raketor ndaj Izraelit. Në mbrëmje në Teheran, grupe njerëzish u mblodhën para ambasadës palestineze duke valëvitur flamurin e Hezbollahut. Për mbështetësit e regjimit, Irani i arriti objektivat e sulmit ndaj armikut të përjetshëm.

Masoud Pezeshkian, presidenti i Iranit tha se sulmi i sotëm ishte një mësim për Izraelin. Ai mburri fuqinë ushtarake të Iranit duke thënë se armët e përdorur për sulmin e ndërmarrë këtë mbrëmje janë vetëm një pjesë e vogël e arsenalit ushtarak të Teheranit. “Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duhet të jetë i vetëdijshëm se Irani nuk po kërkon luftë, por do të përballet me forcë me çdo kërcënim. Sulmi i sotëm ishte vetëm pjesë e fuqisë sonë, mos shkoni në luftë me Iranin”, shtoi ai.

Forcat izraelite të Sigurisë (IDF) pohojnë se do të kryejnë një sulm kundërpërgjigjës ndaj Iranit, por ende nuk dihet se kur. “Ne do të zgjedhim momentin për të përcaktuar ccmimin dhe do të demonstrojmë aftësinë tonë për sulme të sakta dhe befasuese, në përputhje me indikacionet që do të vijnë nga liderët”, tha shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite, gjeneral Herzi Halevi.

I ashpër ishte reagimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu i cili deklaroi se Irani bëri një gabim të madh se do të paguajë për sulmin e sotëm. “Irani bëri një gabim të madh dhe do të paguajë pasojat”, tha kryeministri izraelit gjatë mbledhjes së kabinetit të luftës. “Regjimi iranian nuk e kupton vendosmërinë tonë për t’u mbrojtur dhe vendosmërinë tonë për t’iu përgjigjur armiqve tanë. Sinwar dhe Deif (udhëheqësi i Hamasit, red.) nuk e kuptuan atë, Nasrallah dhe Shukr nuk e kuptuan atë, dhe ndoshta ka ata në Teheran që nuk e kuptojnë”, Është një nga pjesët e fjalimit të shkurtër të mbajtur nga Benjamin Netanyahu në hapje të mbledhjes së kabinetit të sigurisë, gjatë së cilës ai siguroi: “Do ta kuptojnë… kushdo që na sulmon, ne do ta sulmojmë”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments