Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sërish ka vizituar Urën e Ibrit me ç’rast ka theksuar se çështja e hapjes së saj është e mbyllur dhe nuk i takon dialogut.
Në një deklaratë para gazetarëve, Sveçla ka thënë se vizita e tij në veri është e rregullt dhe se së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ishin duke bërë një inspektim të urës.
“Kjo është vizitë e rregullt, erdha me pa me i bo matjet. Inspektimi i ka 2 faza. Jemi në proces dhe jemi duke shkuar sipas planit. Nuk po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, ka vijuar ai.
Ndërkaq në lidhje me protestën e serbëve të mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut, Sveçla ka thënë se është “e drejtë e tyre të protestojnë” duke theksuar se “protesta është e drejtë e tyre demokratike”.
“Ata kanë të drejtë të protestojnë, është e drejtë e tyre demokratike, nuk ka kurfarë telashe”, ka theksuar Sveçla.