Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashin demantojnë deklaratën e deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti i cili u ankua se kuvendi SMS porositë i dërgon vetëm në gjuhën maqedonase, dhe jo edhe atë shqipe..
Nga Kabineti i Gashit thonë se gjuha shqipe është përdorur që nga dita e parë e mandatit të Gashit, ndërkaq “çdo deklaratë që bie ndesh me këtë”, vlerësojnë se “është politikë ditore”.
“Që nga dita e parë e mandatit të Kryetarit të Kuvendit , të gjitha komunikimet zyrtare dhe procedurat duke përfshirë ligjet, seancat plenare, si dhe të gjitha aktet dhe materialet ligjore, në mënyrë të vazhdueshme është përdorur gjuha shqipe dhe maqedonase. Kjo praktikë është në përputhje të plotë me angazhimin për barazi dhe gjithëpërfshirje gjuhësore konform ligjit, rregullores dhe kushtetutës.
Çdo deklaratë që bie ndesh me këtë është pjesë e debatit politik ditor. Fokusi i Kryetarit të Kuvendit mbetet në garantimin që procedurat parlamentare të zhvillohen konform rregullores dhe të drejtave dhe obligimeve që burojnë nga kushtetuta dhe ligjet”, thonë nga Kabineti për TV21.