Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike, para dy muajsh ishte në fazën përfundimtare të përgatitjes. Por tani, nuk dihet se sa kohë do të marrë përgatitja e tij. Në përgjigje të pyetjes së Portalb.mk, drejtuar Sekretariatit për Çështje Evropiane, se në çfarë faze ndodhet Udhërrëfyesi dhe kur pritet t’i dorëzohet KE-së, na u tha se puna për të do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, pa specifikuar se sa do të zgjasë saktësisht.
“Gjatë muajve të fundit është punuar intensivisht në përgatitjen e Agjendës së reformave, duke pasur parasysh afatet e shkurtra të dakorduara me Komisionin Evropian, prandaj puna për Udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Pas përfundimit të tij, ky dokument do t’i nënshtrohet konsultimit me të gjitha palët e interesuara, sikurse edhe dy udhërrëfyesit e tjerë për Sundimin e ligjit dhe Reformën e administratës publike dhe pasi të miratohet nga Qeveria, do t’a dorëzojmë te Komisioni Evropian”, thonë nga SÇE.
Sidoqoftë, me rëndësi është që dy udhërrëfyesit e tjerë të cilët janë kusht për hapjen e Klasterit 1, ai për Sundimin e së drejtës dhe për Reforma në administratën publike janë përgatitur dhe më 28 dhjetor 2023 i janë dërguar Këshillit të BE-së. Megjithatë edhe pse Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike nuk është kusht, është detyrim që vendi do të duhet ta përmbushë.
Me Metodologjinë e re për negociatat aderuese nga marsi 2020 dhe siç përcaktohet me Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, të cilën e miratoi Këshilli i BE-së në korrik të vitit 2022, parashihen të përmbushen dy kushte për hapjen e Klasterit 1: Vlerat themelore dhe atë përgatitja e Udhërrëfyesit për Sundimin e së drejtës dhe Udhërrëfyesi për Reforma në administratën publike, ndërkaq Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike nuk është kusht, por është detyrim që do të duhet ta përmbushim.
Në kornizën negociuese qëndron edhe obligim përgatitja e Planit Aksional për avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve.
Sa udhërrëfyes gjithsej duhet të përgatiten dhe dorëzohen?
Tanimë siç është theksuar, duhet të përgatiten gjithsej tre udhërrëfyes, edhe atë:
Udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës, i cili përfshin reformat në Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Kapitulli 24, “E drejta, liria dhe siguria”, respektivisht reformat lidhur me gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, avancimin e të drejtave të njeriut, reformat lidhur me fushat e azilit dhe migracionit, parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, etj.
Udhërrëfyesi për Reformat në administratën publike, i cili fokusohet në ndërtimin e administratës profesionale në shërbim të qytetarëve dhe përforcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e ligjeve dhe politikave të cilët janë harmonizuar me standardet evropiane.
Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike, që nuk do të jetë pikë referimi për hapjen e Klasterit, me masa për përforcimin e qeverisjes demokratik në të gjitha nivelet, edhe atë lidhur me punën e Kuvendit, procesin zgjedhor dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset demokratike.
A janë përgatitur, nëse jo, kur pritet të jenë gati?
SÇE, në përputhje me kompetencat e veta për koordinimin e procesit të BE-së, filloi me aktivitetet për përgatitjen e udhërrëfyesve që nga qershori i vitit 2023 dhe në vazhdimësi u mbajtën takime dhe konsultime me të gjitha institucionet kompetente, si dhe me Komisionin Evropian.
Paralelisht me këtë, MPJ, në koordinim me SÇE-në dhe institucionet përkatëse, filluan me përgatitjen e draft planit të veprimi për avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve.
Bazë për përgatitjen e udhërrëfyesve është skrining Raporti për Klaster1, të cilin KE-ja e publikoi në fund të korrikut 2023, si dhe Raportin për vendin nga nëntori vitin e kaluar.
A ka caktuar KE-ja afat për dorëzimin e tyre?
Pasi u dorëzuan udhërrëfyesit KE-së, të njëjtat do të duhet të miratohen sipas procedurave të tyre. Respektivisht, Komisioni duhet të përgatisë të ashtuquajturin Raport Vlerësimi për pikë referimet për hapje (OBAR) dhe së bashku me udhërrëfyesin ta dorëzojë në Këshillin e BE-së.
“Dokumentet do të shqyrtohen në organet e Këshillit – KOELA (grupi punues për zgjerim), KOREPER dhe në fund Këshilli. Të njëjtët duhet të miratohen unanimisht. Pritshmëria jonë është që kjo procedurë të përfundojë sa më shpejt që është e mundur që të kemi mundësi të hapim Klasterin 1 ndërkaq në ndërkohë do të duhet të kryejmë detyrimin për ndryshimet kushtetuese”, nënvizonte në një deklaratë për Portalb.mk, Drita Abdiu Halili nga SÇE, më 3 shkurt.
Në përputhje me kërkesën për gjithëpërfshirje dhe konsultimeve me të gjitha palët e interesuara, udhërrëfyesit u konsultuan me organet kompetente në Kuvend (Këshilli Nacionaë për Euro-integrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane), me organizatat e shoqërisë civile, komunitetin akademik dhe Odat ekonomike.
Udhërrëfyesit përmbajnë prioritete të rëndësishme reformuese që do ti kryesojnë negociatat aderuese në këta kapituj si pjesë e përgatitjes së vendit për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.
Sidoqoftë, përveç Udhërrëfyesve, kusht për hapjen e Klasterit 1 janë edhe ndryshimet kushtetuese, që tani kanë mbetur pezull, veçanërisht pas formimit të Qeverisë teknike e madje sipas ekspertëve, vështirë se mund të ndodhin para zgjedhjeve të këtij viti.
Ndryshe, procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.
Sekretariati për Çështje Evropiane theksoi që në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.
Tani, në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.