Politikani serb, Nenad Çanak ka thënë se Rregullorja e re e BQK-së është e drejtë dhe e logjikshme.
Ai e ka kujtuar shembullin e Malit të Zi i cili kishte marrë të njëjtin vendim për ta kompletuar sovranitetin shtetëror.
Përveç saj, ai ka thënë se kjo Rregullore duhet të zbatohet me kujdes për komunitetin serb në Kosovë.
“Futja e euros si valutë në të gjithë territorin e Kosovës është një lëvizje krejtësisht logjike. Të njëjtën gjë bëri edhe Mali i Zi në një moment për të kompletuar sovranitetin e tij shtetëror. E vetmja gjë e rëndësishme në këtë moment është të sigurohet që njerëzit në Kosovë, që marrin pensione dhe të drejta të tjera nga Serbia, të mos preken nga kjo lëvizje. Komuniteti ndërkombëtar reagon me nervozizëm, sepse çdo lëvizje e pavarur në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës shikohet vetëm nga prizmi i këtyre marrëdhënieve dhe nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme funksionimit të sistemit, ekonomisë dhe sundimit të ligjit brenda kufijve të Kosovës”, ka thënë ai.
Në lidhje me kërkesat e vendeve të QUINT-it ai ka thënë se është e pamundur që një Kryeministër i një shteti sovran t’i dëgjoj të gjitha kërkesat e ndërkombëtarëve.
Ish-kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës e ka parë Kryeministrin Kurti si një lojtar të fortë.
“Kryeministri Kurti është një lojtar i fortë dhe përpiqet të qeverisë vendin në përputhje me bindjet e tij. Të mbështetesh te partnerët perëndimorë është logjike dhe e rëndësishme, por zbatimi i pakushtëzuar i ideve të tyre është diçka me të cilën asnjë njeri me integritet nuk mund të pajtohet. Qytetarët e Kosovës duhet të marrin vendime për Kosovën përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur”, ka thënë Çanak për Tëvë1.
Pavarësisht se rregullorja e BQK-së për pagesa me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, mes kritikave nga faktori ndërkombëtar dhe serbëve lokalë, Kurti tha se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.
Kryeministri kosovar tha të martën se gjatë këtij muaji autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.
“Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.