5.4 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeFjala e Dritan Goxhajt para Gjykatës në Tiranë.19.09.2023

Fjala e Dritan Goxhajt para Gjykatës në Tiranë.19.09.2023

Në çështjen në gjykim prokurori i Republikës së Shqipërisë i referehet me këmbëngulje vetëm neneve të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës dhe disa neneve të rregulloreve të Gjykatës – Dhomave të Specializuara të Kosovës. Nuk di në është në dijeni ky organ i akuzës që Kosova është një shtet tjetër dhe Shqipëria aktualisht është një shtet tjetër. Në dijeninë time, deri më sot, nuk di që të ketë ndonjë vendim të Parlamentit të Shqipërisë që njeh juridiksionin ligjor të Kosovës të zbatueshëm edhe në Shqipëri. Pikërisht për arsyen që secili shtet ka dhe zbaton juridiksionin e tij në territorin e tij, të dyja këto shtete janë të detyruara të bëjnë marrëveshje dypalëshe juridike që njihen si marrëveshje ndërkombëtare. Duke qenë se organit të akuzës i pëlqen t’u referohet ligjeve të Kosovës, atëherë edhe unë, për t’i ardhur në ndihmë në këtë rast moralit të tij të dyshimtë patriotik, po i lexoj dhe u referohem disa neneve të Kushtetutës së Kosovës të cilat hedhin poshtë ato që me këmbëngulje “patriotike” organi i akuzës mbështet.

Në nenin 19 të Kushtetutës së Kosovës, ‘Zbatimi i të Drejtës Ndërkombëtare’, pika 1, shkruhet: “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik. Ato zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo do të thotë që marrëveshja në lidhje me çështjen është Ligji Nr. 2/2013, e cila njihet si Marrëveshja për Ekstradim. Kjo marrëveshje, në nenet e saj Nr. 6 dhe 13, përcakton qartësisht si duhet të kryhet marrëdhënia juridike në kësi rastesh, gjë që është shpjeguar gjerësisht nga ana e mbrojtësve të mi ligjorë. Por, pavarësisht kësaj, sërish organi i akuzës në krye edhe të “obligimeve të tyre patriotike” vazhdojnë të ngulin këmbë që edhe në sistemin tonë juridik të prevalojnë copëza të sistemit juridik të Kosovës, duke na çuar kështu, në këtë rast, në një konflikt juridik të qëllimshëm.

Megjithatë, ligjvënësit në Kosovë janë treguar largpamës dhe e kanë paraparë se mund të ndodhin konflikte të tilla, pavarësisht arsyes. Dhe, për këtë gjë, në Kushtetutën e tyre ata kanë vënë një nen të veçantë, Nenin 22, ‘Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve’, ku shkruhet: “Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet ndërkombëtare zbatohen drejtpërdrejtë dhe kanë prioritet në rast konflikti ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera”.

Ashtu si edhe shihet, paragrafi i fundit i këtij neni të Kushtetutës së Kosovës e vë organin e akuzës me shpatulla për muri, duke i treguar qartësisht se në rastin tonë duhet dhe prevalon vetëm marrëveshja e ratifikuar.

Kjo largpamësi nga ana e ligjvënësve të Kosovës, siç duket, ka infektuar edhe ligjvënësit tanë, të cilët kanë parashikuar se Organit tonë të Akuzës, mund, në një moment, t’i humbë rruga në oborr, ashtu si i ka ndodhur në këtë rast organit tonë të akuzës në këtë proces, ku po ngatërron atë që quhet përkatësi juridike, përkatësi të cilën përfaqësuesit e këtij organi e mësojnë në vitin e parë të Fakultetit Juridik.

Ndaj, për këtë arsye, këta ligjvënës janë kujdesur specifikisht që edhe në Ligjin 2/2013, ‘Marrëveshja për Ekstradim’, të vendosin një nen të veçantë, Nenin 20, ‘Procedura e Zbatueshme’, ku shkruhet: “Përveç rasteve kur kjo Marrëveshje parashikon ndryshe, procedurat lidhur me ekstradimin apo arrestin e përkohshëm rregullohen nga legjislacioni i palës së kërkuar”. Kjo do të thotë se gjithçka në këtë rast duhet të bëhet sipas dhe vetëm sipas ligjeve shqiptare, duke përjashtuar kështu çdo lloj pretendimi nga ana e organit të akuzës.

Kjo tregon se jo vetëm tentativa e prokurorisë për të më rrëmbyer dhe dorëzuar tek ndërmarrja kriminale që quhet Dhomat e Specializuara të Kosovës, por edhe arrestimi dhe mbajtja ime në burg është bërë në mënyrë të jashtëligjshme, në kundërshtim të ligjeve dhe procedurave që parasheh ligji në këtë rast, shkelje këto që nga ana ligjore janë elaboruar nga mbrojtësit e mi.

Nga gjithë sa thashë më lart dhe duke u bazuar në faktin se është po kjo gjykatë dhe trup gjykues që ka shkelur të drejtat e mia dhe se, në asnjë moment deri më tani, nuk e ka zbatuar aspak aksiomën ‘Ligji është i barabartë për të gjithë’, nuk kam aspak ndërmend t’i kërkoj gjë personalisht pasi, edhe pse më janë shkelur të drejtat, për momentin po mundohem që këtë çështje të mos e marr si personale por, si besimtar që jam, t’i them vetes “Fali, o Zot, se nuk dinë se çfarë bëjnë!’.

Dhe vetëm shpresoj që të zbatoni Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe përkatësisht Nenin 4, pika 1, ku shkruhet: “E drejta përbën bazën dhe kufinjtë e veprimtarisë së shtetit”.

Duke qenë se sistemi juridik dhe gjykatat në veçanti janë pjesë përbërëse e shtetit, uroj që edhe kjo gjykatë t’i rrijë besnike kësaj kushtetute mbi të cilën edhe është betuar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments