Përfaqësuesja e Kosovës ka barazuar ndaj Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024” me rezultat 2:2.
Zviceranët arritën të kalonin në epërsi qysh në minutën e 14-të, kur Freuler realizoi pas një aksioni të bukur.
Me epërsi minimale, Zvicra shkoi në pushimin mes pjesëve.
Në pjesën e dytë, Kosova pati iniciativë më të madhe, e cila u shpërblye me gol në minutën e 65-të nga Vedat Muriqi që realizoi me kokë.
Megjithatë, në momentin më të mirë tonin erdhi goli i dytë i Zvicrës.
Goditja e Freuler u devijua nga Amir Rrahmani për të përfunduar në rrjetë.
E në minutat shtesë, Vedat Muriqi realizoi edhe një herë për ta barazuar rezultatin. Ai u asistua bukur nga Meriton Korenica.
Kësisoj, me këtë barazim Zvicra mbetet e para me 11 pikë, e ndjekur nga Rumania me tetë dhe Izraeli me tetë.
Kosova mbetet e parafundit me vetëm katër pikë nga pesë ndeshje.
Dueli i radhës i ekipit të drejtuar nga Primoz Gliha do të jetë pas tri ditëve në udhëtim ndaj Rumanisë.