Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën “Arrest me burg”, për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Belerin, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Gjatë seancës gjyqësore avokatët e tij kanë pretenduar pavlefshmëri të akteve, të cilat sipas tyre nuk mund të jenë të bazuar në akuzë dhe kanë deklaruar se do t’i drejtohen gjykatës së Strasburgut.
“Nuk ka pasur as nuk ka asnjë bisedë të Belerit. Nuk e dimë logjikën, një Gjykatë që u formua nga ligji si gjykatë e fortë nuk është e fortë përballë pushtetarëve. Beleri ka kërkuar të drejtën e tij, nga Gjykata u shkrua bukur arsyetimi ku thanë se kërkesa rrëzohet pasi nuk u plotësuan kushtet”- u shpreh për mediat avokati i tij.
Nga ana tjetër Gjykata ka vlerësuar në vendim se nuk ekzistojnë kushtet për ta lënë të lirë kryebashkiakun dhe si rrjedhojë do të vijojë masa për ta lënë arrest me burg, derisa të ketë një seancë tjetër.
Fredi Beleri është i arrestuar për zgjedhjet e 14 majit.Veprimet hetimore speciale zbuluan se në prag të ditës se votimeve ai u përfshi në skemën e blerjes se votës, e cila kushtonte 50 euro secila.
Paratë u paguan nga bashkëpunëtori i tij tek qytetari, të cilit iu tha se për këtë pune do të shpërblehej me 300 euro. Gjykata deri më tani ia ka refuzuar Belerit kërkesën për tu betuar por edhe për të lënë qelinë.
Top Channel