Kryeministri Edi Rama tha se qëndrimi i Shqipërisë karshi Kosovës në situatën e fundit me Serbinë, është në linjë me atë të aleatëve e partnerëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, që tha se janë të përbashkët.
Në një intervistë Rama tha se qeveria shqiptare nuk e mbështeti Kosovën në luftën kundër bandave, tha se Shqipëria nuk është një parti politike e regjistruar në Kosovë që të merret me problemet e brendshme të vendit.
“Shqipëria nuk është një parti politike këtu në Kosovë. Unë personalisht nuk kam parti politike të regjistruar këtu në Kosovë. Madje, madje, kur Albini ka ardhur në Shqipëri për të nisur fushatën elektorale me një parti të regjistruar në Shqipëri e cila garonte kundër partisë sime, unë Albinin e prita për drekë. Dhe nuk kemi pas asnjë problem, dhe s’ia kam ngritur si çështje se ‘si vjen ti këtu e bën fushatë kundër meje dhe do takim’. Absolutisht jo. Tani ç’lidhje ka kjo që Shqipëria nuk e ka mbështetur Kosovën për të luftuar bandat, sepse s’e kuptoj. Ne nuk jemi parti politike, jemi shtet, jemi tjetër shtet. Dhe këtu nuk është çështja a duhet… nuk kam dëgjuar asnjë nga aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, që i kemi të përbashkët, që të thotë se Kosova s’duhet të luftojë bandat dhe qeveria e Kosovës nuk duhet të luftojë bandat. Ky është një interpretim shumë i shtrembër i një realiteti që nuk ka të bëjë me bandat. Lufta me bandat është luftë me bandat. Ky realitet është krejt tjetër, ka të bëjë me faktin, dhe kjo është arsyeja e pozicionit tim, që të gjithë aleatët, miqtë dhe partnerët e Kosovës, i kanë vënë Kosovës në tryezë mundësinë për një marrëveshje historike që çliron përfundimisht Kosovën nga zona në hije e mosnjohjeve nga gjysma e botës, dhe nga pesë shtete këtu në BE. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam angazhuar, dhe qeveria jonë jemi angazhuar në këtë proces. Pastaj se çfarë bën qeveria e Kosovës këtu brenda me bandat, me bizneset, me sigurimet shoqërore, kjo nuk është puna jonë”, potencoi Rama. /klankosova.