Është e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe globale që Maqedonia e Veriut të përqendrohet në demokracinë dhe sundimin e ligjit, tha për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedone zëvendësndihmës sekretari i mbrojtjes i SHBA-së për politikat evropiane dhe NATO-n, Spenser Boyer.
I pyetur nëse beson se korrupsioni në Maqedoni është kërcënim për sigurinë e saj kombëtare, ai thotë se qëndrimi i Pentagonit është se sundimi i ligjit dhe demokracia janë të rëndësishme për të pasur sisteme të forta që do të kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale.
“Do t’ua lë kolegëve të mi nga Departamenti i Shtetit të flasin për politikën dhe përpjekjet politike që kemi me Maqedoninë e Veriut. Ajo që mund të them nga ana e Departamentit të Mbrojtjes është se ne shohim marrëdhëniet tona në rritje dhe një themel të vërtetë për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe. Natyrisht, ne kujdesemi për demokracinë dhe sundimin e ligjit në përgjithësi për të gjithë aleatët dhe partnerët tanë. Ne mendojmë se fokusimi në ato gjëra dhe të pasurit demokraci të forta është i rëndësishëm për të pasur sisteme të forta për të qenë elastik, për të kontribuar më gjerësisht në sigurinë rajonale dhe globale. Pra, kjo është gjithmonë e rëndësishme”, thotë Boyer.
Ndërsa për anëtarësimin e vendit në BE, ai thekson se është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin më gjerësisht dhe kjo, thotë ai, është diçka që SHBA-të e mbështesin.
“Unë nuk do të hyj në specifikat e marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështje specifike politike. Këtë do t’ua lë të tjerëve ta bëjnë, por ajo që do të thoja për Bashkimin Evropian dhe aspiratën e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare, është diçka që ne e mbështesim plotësisht. Natyrisht, varet nga Bashkimi Evropian që të marrë vendimin e vet për anëtarësim, por ne e shohim si të rëndësishëm procesin e lëvizjes drejt anëtarësimit në BE, integrimin më të gjerë euroatlantik, për të ndërtuar mbi hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO në vitin 2020″, thotë ndihmës sekretari në Pentagon.
I pyetur nëse vonesa e mundshme e mëtejshme eprocesit të anëtarësimit nga njëra anë dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë nga ana tjetër duhet të jenë alarm për BE-në duke pasur parasysh rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm, ai përgjigjet:
“Ka gjithmonë një shans që diçka që është në një zonë të caktuar mund të përhapet, dhe ne po e mbajmë një sy në këtë dhe po bëjmë gjithçka që mundemi si vend, dhe po punojmë me Maqedoninë e Veriut dhe të tjerët, në përpjekje për tu siguruar që ta stabilizojmë rajonin”.
Në intervistë, Boyer flet edhe për planin dhjetëvjeçar të bashkëpunimit në mbrojtje që Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan muajin e kaluar, duke shpjeguar seky udhërrëfyes parashikon bashkëpunimin dhe politikën dypalëshe dhe rajonale, modernizimin e mbrojtjes, bashkëpunimin në lidhje me sulmet kibernetike dhe trajtimin e dezinformimi.
Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.
Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.
Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.