Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë të mërkurën në Vatikan. Burime të KOHËS kanë treguar se një ditë më vonë ai do të pritet në Selinë e Shenjtë nga Papa Françesku.
Sipas këtyre burimeve, pas Vatikanit kryeministri Kurti do të udhëtojë në Bruksel, për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Përfaqësuesit të lartë për siguri dhe politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiqi të martën në konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, ka përmendur vizitën e Kurtit në Vatikan.
Vuçiqi ka lënë të kuptohet se nuk do të shkojë në Bruksel. Ai ka thënë se nuk do të flasë me Kurtin derisa “të lirohet çdo serb i arrestuar dhe derisa kryetarët e tyre të dalin nga komunat”.
“E dini, Kurti ka gjëra më të rëndësishme për të bërë në Vatikan, të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se është i gatshëm të marrë pjesë në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç gjatë kësaj jave në Bruksel, me ftesë të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell.
Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë gjatë së cilës foli për gjendjen në të cilën ndodhen pjesëtarë të policisë së Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi që nga 14 qershori.
“Po unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna të cilat i morrëm dhe ta kuptojnë që depërshkallëizmi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë, ndërkaq normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të marrëveshjes bazike”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka vizituar policët e Kosovës që po mbahen në një burg në qytetin e Kralevës, ndërsa theksoi se rrëfimet e tyre dëshmojnë se arrestimi është kryer brenda territorit të Kosovës.
“Janë tre rrëfime ndarazi identike të tre njerëzve të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit me 14 qershor kanë qenë te tryeza e improvizuar, pra kanë qenë duke ngrënë drekë së bashku kur pesëmbëdhjetë persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë dhe që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndarazi nga ambasadori ynë Jetish Jashari. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që dëshirojnë të jenë skeptik për të drejtën e Kosovës se Serbia ka zhvilluar agresion”, tha ai.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Shwarz, tha se policët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Sipas tyre trajtimi nga ana e personelit të burgut pra gardianët dhe stafi tjetër është korrekt, atyre u jepet ushqim në baza të rregullta ditore edhepse cilësia sipas njërit prej tyre është jo e mirë”, tha ajo.
Arrestimi i pjesëtarëve të policisë nga forcat serbe shtoi tensionet në Kosovë por edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë për lirimin e menjëhershëm të tyre.
Thirrjeve iu bashkua të martën edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandër që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë dhe mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha kryeministri Orban në një konferencë me gazetarë në qytetin e Suboticës në Serbinë veriore, pas një takimi ndërmjet qeverive të të dyja vendeve.
Por, presidenti serb nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të dëgjojë thirrjet perëndimore, duke theksuar se “çështja u takon organeve të drejtësisë”.
Ai tha të martën se “nuk do të bisedojë me zotin Kurti derisa të lirohet çdo serb i arrestuar në veri të Kosovës dhe deri sa të mos tërhiqen kryetarët shqiptarë të komunave veriore”.
Që nga mbrëmë në vendkalimet që lidhin Kosovën me Serbinë, Merdar dhe Jarinjë, autobusët dhe kamionët nga Kosova nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë, nga grupe qytetarësh serbë. Ata janë hedhur në protestë në shenjë revolte ndaj vendimit të javës së kaluar të Prishtinës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në Kosovë, pas arrestimit të tre policëve.
NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që nga 26 maji në veri të vendit ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Diplomatët perëndimorë po bëjnë thirrje që palët të ulin tensionet, të organziojnë zgjedhje të reja në veri të Kosovës dhe të punojnë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të shkruaj projekt statutin për Asociacionin por jo pa u pajtuar fillimisht për parimet e tij.
“Unë kam ofruar që ta bëj draftin për këtë gjë por duhet të pajtohemi për parimet. Nuk mund të shkruajmë tekste të zhanreve e kuptimeve ekstremisht të kundërta sepse nuk zgjidhim asnjë gjë. Duhet të pajtohemi për frymën, karakterin e tekstit dhe unë lirisht e shkruaj atë draft statut sepse dhe na përket si Kosovë që e kemi pranuar marrëveshjen bazike”, tha kryeministri Kurti duke përsëritur qëndrimin se një detyrim i marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nuk mund të ketë përparësi ndaj tjetrit.
“Në zbatimin e marrëveshjes nuk mund ta vendosim qerren para kuajve, marrëveshja e ka në qendër njohjen reciproke de facto, është neni shtatë edhe neni dhjetë, por këto nene nuk janë preambulë, andaj unë dua që të kemi takim të nivelit të lartë ku sekuencimin e balancuar edhe fer e trajtojmë me sinqeritet dhe seriozitet maksimal. Procesi në vazhdim duhet të jetë zbatim i marrëveshjes bazike, nuk mund të jetë proces për Asociacionin”, tha zoti Kurti.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, that ë martën se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”. Duke komentuar këtë deklaratë, kryeministr Kurti tha se është Beogradi që ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës.
“Kah mund të shkojë kriza e veriut, nëse nuk shtensionohet, unë nuk mund ta di sot, por unë e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Herë me politikanë që rrinë afër me krimin e organizuar, herë me krimin që synon të politizohet, por qartazi faktorin dhe burimin e eskalimit do ta gjeni atje. Prandaj, nëse ka të drejtë emisari Escobar, atëherë adresa ku do të duhej të merremi, që të mos kemi konflikt rajonal, është Beogradi”, tha kryeministri Kurti.