Kryeministri i Maqedonisë së Veriut sot e ka komentuar tërthorazi nismën e javës së kaluar të BDI-së për të mbledhur nënshkrimet e duhura për të hapur procedurën në kuvend me synimin për të bërë ndryshimet kushtetutese të nevojshme që do të lejonin hapjen e bisediemeve të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian
I pyetur nga gazetarët, Hristijan Mickoski, përkujtoi se në legjislaturën e kaluar partia opozitare shqiptare nuk e kishte bërë një nismë të këtillë.
“BDI kishte mundësi ta bënte atë kur ishte në qeveri, 20 vjet ishte në qeveri,” u tha Hristijan Mickoski sot gazetarëve, për kushtëzimin e BE-së e para katër viteve, përkatësisht në Korrik të vitit 2022.
Edhe nëse BDI do të arrijë t’i mbledhë 30 nënshkrime për të bërë kërkesën në kuvend për hapje procedure, ky ndryshim i kërkuar nuk është i mundur për shkak të mungesës së 80 votave që duhen për të ndryshuar kushtetutën.
As në përbërjen e kaluar të kuvendit, e as në të tashmën, ndryshimi i kushtetutës për të futur bashkësinë bullgare nuk është i mundshëm pa votat e VMRO-DPME-së.
Mickoski e ndërlidhi kërkesën e bërë nga BDI dhe aleatët e saj me siç tha ai çështje të brendshme të kësaj partie opozitare..“Kështu që mendoj që BDI ka problem me kuadrot dhe programin. Unë do t’u sugjeroja ta zgjidhin problemin me kuadrot dhe programin, ndërsa problemet shtetërore do t’i zgjidhë qeveria që ka legjitimitet nga qytetarët”, tha Mickoski.
Mickoski deri më tash disa herë i ka potencuar kushtet e tij për ndryshim eventual të kushtetutës për kërkesën e BE-së të imponuar nga Bullgaria.
Ai thotë se pa patur respektim të të drejtave të bashkësisë maqedonase në Bullgari nga qeveria bullgare, dhe pa garanci nga BE se nuk do të ketë kërkesa të reja në të ardhmen që do të kishin të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, nuk do të mund të ketë ndryshim të kushtetutës.
