19/06/2023 | 23:52
Një shpërthim është dëgjuar sonte prapa Shkollës së Mjekësisë në Mitrovicë të Veriut.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, ka bërë të ditur se një shok-bombë ka shpërthyer në rrugë.
“Nuk ka të lënduar e as dëme materiale”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.
Këto zhvillime pasojnë tensionet në veri të Kosovës prej 26 majit.
Atë ditë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësiteve të Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.