Liderët e partive opozitare nga blloku shqiptar Lëvizja Besa dhe Alternativa, Bilal Kasami dhe Afrim Gashi kanë pasur një takim këtë javë, i cili sipas burimeve nga të dyja partitë, është një përpjekje fillestare për të “shkrirë akullin” mes dy partive në drejtimin e një bashkëpunimi të mundshëm më serioz në të ardhmen, raporton TV 24, transmeton Portalb.mk.
Ky është takimi i parë mes dy liderëve në më shumë se katër vjet, sipas asaj që dihet deri tani për publikun.
Sipas të njëjtave burime të cilave u referohet televizioni, takimi nuk ka qenë për bashkëpunim thelbësor, por vetëm takim fillestar, pasi të dyja palët kanë paralajmëruar disa herë mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, qëllimi i të cilit do të ishte dhënia fund e qeverisjes së BDI-së dhe partia e Ali Ahmetit të kalojë në opozitë.
TV 24 u dërgoi pyetje të dyja palëve lidhur me takimin. Sipas përgjigjes që kanë marrë nga Besa, takimin as e konfirmojnë e as e mohojnë.
“Lëvizja Besa është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike opozitare. Komunikimi dhe takimet mes partive opozitare janë normale”, thanë nga Besa në përgjigje.
Përgjigje më e drejtpërdrejtë ka ardhur nga partia e Afrim Gashit, Alternativa, ku kanë thënë se lideri i tyre po takohet me disa autoritete politike dhe se sigurisht që ka kontakte mes Alternativës dhe Besës.
“Sigurisht që ka kontakte mes Alternativës dhe Besës dhe duhet të presim nëse do të ketë bashkëpunim dhe si do të duket. Si parti që qëndron për një lloj tjetër vlerash, tema kryesore e së cilës është lufta kundër korrupsionit, por edhe integrimi evropian, do të donim të gjenim partnerë me të cilët mund të bashkëpunonim për këto parime. Të gjithë jemi dakord që është koha që edhe te shqiptarët të ketë ndryshime. Është koha për një alternativë të re”, kanë thënë nga Alternativa e Gashit.