Zeqirija Ibrahimi / Arsimi dhe zhvillimi ekonomik janë çelësi i mirëqenies së një kombi

312

Anëtari i Kryesisë qendrore të AlternAtivA-s, Zeqirija Ibrahimi, në një intervistë ekskluzive me portalin Foldrejt.com, flet për dy shtyllat kryesore të programit “Një shtet për të gjithë”.

Foldrejt.com: Kthehemi pak te tema më e rëndësishme. Cili është planprogrami juaj mbi arsimin?

Zeqirija Ibrahimi: Dy shtyllat kryesore të programit tonë “Një shtet për të gjithë” janë pikërisht arsimi dhe zhvillimi ekonomik. Ne konsiderojmë se këto dyja janë çelësi i mirëqenies së kombit. Madje, do të thosha se arsimi paraprin, ngase një arsim serioz cilësor nënkupton edhe një zhvillim ekonomik. Në këtë drejtim arsimi shqip në vendin tonë është për keqardhje. Përveç klasave të stërngarkuara, janë edhe një varg problemesh të tjera që presin zgjidhje, si: tekstet shkollore me përmbajtje problematike, objektet e dërrmuara (nga vjetërsia dhe pa kushte minimale për punë), mungesa e kuadrit cilësor për shkak të politizimit të arsimit, arsimi jokomplementar me tregun e punës, mungesa e mjeteve mësimore, zbehja e cilësisë, rezultatet e dobëta në matematikë dhe dobësitë në përvetësimin e gjuhës shqipe, letërsisë shqiptare dhe historisë kombëtare e shumë probleme të tjera. Për fat të keq, aq shumë e kanë degraduar arsimin, sa do të na duhen dy mandate qeverisëse që të mund t’i vendosim gjërat në binarë të drejtë”, ka thënë Zeqirija Ibrahimi nga AlternAtivA.