8.1 C
Tetovo
E premte, 19 Prill, 2024
BallinaLajmeZAEVI: ZHGËNJIMI NGA BE-BLLOKADA DO TË PËRHAPET SI KANCER

ZAEVI: ZHGËNJIMI NGA BE-BLLOKADA DO TË PËRHAPET SI KANCER

LLOVENIA SI SHEMBULL PËR ZHBLLOKIM TË KONTESTEVE FQINJËSORE

Sllovenia ka siguruar bazë për takime të nivelit të lartë në Bruksel, në Sofje dhe në Shkup, për tejkalimin e kontestit bullgar me Maqedoninë e Veriut dhe fillimin e negociatave aderuse deri në fund të vitit. Gasper Dovzhan, në emër të diplomacisë sllovene sot shtoi se BE-ja dhe zgjerimi do të thonë mirëqenie dhe jo kërkim i dallimeve të identitetit. Në prag të samitit BE – Ballkani Perëndimor, gjatë javës së ardhshme, Kryeministri Zaev paralajmëron se në qoftë se bllokada do të vazhdojë, zhgënjimi do të përhapet si kancer nëpër rajon.

Turnetë e përfaqësuesve të lartë evropianë këtyre ditëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, si dhe takimet e shumta të nivelit të lartë, janë një hap më afër marrëveshjes në mes dy vendeve, konsideron Gasper Dovzhan, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë. Ai shton se hapat e fundit megjithatë duhet t’i bëjnë Shkupi dhe Sofja, sipas shembullit të vendit të tij dhe vendeve fqinje në periudhën e anëtarësimit në BE.

GASPER DOVZHAN, SEKRETAR SHTETËROR, MPJ, SLLOVENI

“Sllovenia ka negociuar derisa dy vende fqinje tashme ishin anëtare, kur kemi pasur sfida të shumta historike dhe të identitetit për t’i tejkaluar. Më pas, ne kemi qenë vend anëtar derisa një vend tjetër fqinj ka negociuar, edhe atëherë kemi tejkaluar sfida. Kështu që ne kemi përvojë personale, relevante. Për Maqedoninë e Veriut dhe për Bullgarinë vërtetë përpiqemi rastin ta prezantojmë në aspekt të zgjerimit, sepse BE-ja dhe zgjerimi do të thonë interes i përbashkët, bazë e përbashkët, kompromise, mirëqenie për njerëzit. Definitivisht nuk do të thonë kërkesa dhe vënie në dukje të dallimeve të identitetit.”

Në Forumin për Shoqëri Qytetare të Ballkanit Perëndimor, në organizim të Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social, sot në Shkup, në fjalimin virtual komisioneri për zgjerim Oliver Varhelji, i cili dje pas dyerve të mbyllura u takua me Kryeministrin Zoran Zaev, theksoi se pret marrëveshje për kornizë negociuese të pranueshme për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si dhe fillim të negociatave gjatë këtij viti.

OLIVER VARHELJI, KOMISIONER I BE-së

“Tani është e rëndësisë kyçe që Evropa ta japë zgjedhjen më të rëndësishme gjeopolitike, që do të thotë integrim i plotë i Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye unë konsideroj se rritet vëmendja për këtë zgjedhje tonën, për këtë prioritet dhe për këtë arsye unë shpresoj se gjatë javës së ardhshme do të ketë mesazhe shumë të qarta nga liderët e Evropës dhe pika shumë të qarta në këtë drejtim.”

Në prag të samitit BE – Ballkani Perëndimor më 6 tetor në Slloveni edhe Kryeministri Zoran Zaev nga samiti i sotëm përcolli mesazhin që rajoni të mos mbetet jashtë kufijve të BE-së.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR I RMV-së

“Kjo është posaçërisht dhe në thelb e rëndësishme, sepse në qoftë se vazhdon ky status kuo, pa mundësi të dukshme për përparim, zhgënjimi nga bllokada e zgjerimit do të përhapet si kancer edhe në proceset tjera për evropianizim të vendeve të Ballkanit Perëndimor.”

Zaev insiston që integrimi në BE të varet ekskluzivisht nga reformat e brendshme, ndërsa në frymën e fqinjësisë së mirë evropiane t’i vazhdojë negociatat me Bullgarinë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe kontestuese.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments