BallinaLajmeWaitz: RMV i vonoi reformat, pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, RMV-ja...

Waitz: RMV i vonoi reformat, pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, RMV-ja mund të jetë vendi i radhës që i bashkohet BE-së

Raportuesit e Parlamentit Evropian për pesë vende të Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar dje draft-rezolutat e raporteve vjetore të Komisionit Evropian për përparimin e tyre në rrugën drejt integrimit evropian.

Raportet për Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi u prezantuan gjatë debatit të djeshëm në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Waitz: pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, RMV-ja mund të jetë vendi i radhës që i bashkohet BE-së

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe vazhdon të jetë “fushë loje për fuqitë e huaja”.

“Po, mund të themi se vendi nuk i zbatoi reformat aq shpejt sa ishte e mundur, por duhet të pranojmë gjithashtu se edhe ne në BE kemi dhënë premtime që nuk i kemi përmbushur”, tha Waitz.

Ai shtoi se vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, kanë vullnet për të zbatuar reformat e nevojshme dhe se kjo duhet të shpërblehet përmes integrimit të pjesshëm në tregun evropian, përfitimeve në roaming dhe përfshirjes në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave, me qëllim ruajtjen e motivimit.

Sipas tij, anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor sjell vlera të rëndësishme sigurie dhe ekonomike për BE-në.

Ai vlerësoi se pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, Maqedonia e Veriut mund të jetë vendi i ardhshëm që do t’i bashkohet Unionit.

Mali i Zi dhe Shqipëria së shpejti në BE

Raportuesi për Malin e Zi, Marjan Sharec, deklaroi se Mali i Zi vazhdon të jetë favoriti mes vendeve kandidate për anëtarësim në BE.

Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se vendi tashmë është “me një këmbë në Bashkimin Evropian”.

Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat

Raportuesi për Kosovën, Riho Terras, tha se zgjerimi i BE-së është mënyra më efektive për forcimin e sigurisë në Evropë. Sipas Terras, është shumë e rëndësishme që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat.

“Është me rëndësi të veçantë që Kosova të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe të ruajë mbështetjen e lartë publike për integrimin evropian”, theksoi ai.

Raporti për Bosnjën ishte më i vështiri për t’u përgatitur

Raportuesi për Bosnjë e Hercegovinën, Ondeej Kolar, tha se raporti për këtë vend ishte ndoshta më i vështiri për t’u hartuar për shkak të së kaluarës së trazuar, strukturës komplekse shtetërore dhe sfidave të shumta në rrugën drejt BE-së.

Kos: Ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se ka ardhur koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian dhe të korrigjohen gabimet e së kaluarës.Ajo tha se të gjitha vendet e rajonit, si dhe Ukraina dhe Moldavia, përballen me kërcënime hibride.

“Sa më shumë përparojmë në procesin e zgjerimit, aq më shumë sulme ka. Nëse nuk arrijmë t’i integrojmë këto vende dhe t’i ndihmojmë të përballen me veprimet armiqësore që synojnë t’i largojnë nga rruga evropiane, të tjerët do t’i përdorin kundër nesh”, tha Kos.

Në debatin e djeshëm morën pjesë edhe eurodeputetë nga grupime të ndryshme politike në Parlamentin Evropian. Votimi është caktuar për ditën e sotme

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments