19.9 C
Tetovo
E diel, 19 Maj, 2024
BallinaLajmeBotaVOA / Reagime ndaj raporteve për përfshirje të presidentit të Afrikës së...

VOA / Reagime ndaj raporteve për përfshirje të presidentit të Afrikës së Jugut në korrupsion

Cyril Ramaphosa nuk është presidenti i parë i Afrikës së Jugut ose udhëheqësi i parë i partisë në pushtet, Kongresit Kombëtar Afrikan, që përballet me akuza për korrupsion. Akuzat nuk kanë befasuar shumicën e banorëve të Afrikës së Jugut. Ato po ndikojnë në popullaritetin e Kongresit Kombëtar Afrikan.

Kongresi Kombëtar Afrikan, partia e Nelson Mandelës mund të ketë sjellë lirinë në Afrikën e Jugut, por ajo është dëmtuar nga akuzat për korrupsion në nivelet më të larta të partisë.

Një raport nga një komision i pavarur, i publikuar të hënën, zbuloi se Presidenti Cyril Ramaphosa mund të ketë shkelur ligjin dhe betimin që kishte bërë pas marrjes së detyrës.

Raporti i komisionit thotë se sasi të mëdha valutash të huaja të fermës private të zotit Ramaphosa u vodhën në vitin 2020 dhe se ai nuk i raportoi paratë që mungonin.

Zoti Ramaphosa i ka mohuar pretendimet për shkelje dhe nuk është akuzuar për asnjë krim.

Në rrugët e Johanesburgut, afrikano-jugorët reaguan mbi krizën e fundit të partisë.

“Jam i zhgënjyer nga Kongresi Kombëtar Afrikan. Nuk kam më aspak besim në këtë parti. Ata nuk bëjnë shumë për ne. Ata kujdesen për veten dhe familjet e tyre”, thotë Gareth Mukhudi, banor i Johanesburgut.

“Kisha shumë shpresë kur ndodhi ndryshimi fillestar, kur Kongresi Kombëtar Afrikan erdhi në pushtet. Ka qenë thjesht një zhgënjim sistematik gjatë dekadave të pushtetit dhe udhëheqjes së tyre”, thotë Patrick Tandy, një banor tjetër i Johanesburgut.

“Kemi vërtet nevojë për ndryshim. Duhet të shohim kalimin e të gjitha përgjegjësive sociale në duart e njerëzve”, thotë Sihau Nxongo, banore e Johanesburgut.

Pavarësisht zhgënjimit të shkaktuar nga një skandal tjetër, ekspertët thonë se Kongresi Kombëtar Afrikan përballet me zgjedhje të vështira mbi të ardhmen e zotit Ramaphosa brenda partisë.

“Të gjitha sondazhet për të cilat jam në dijeni, tregojnë se nëse zoti Ramaphosa largohet nga Kongresi Kombëtar Afrikan, niveli i mbështetjes bie nga pesë deri në dhjetë për qind, ndoshta edhe pak më shumë, gjë që e lë partinë diku midis 35 dhe 45 për qind mbështetje në nivel kombëtar. Pra, nëse do të kishte zgjedhje tani, partia nuk do të merrte shumicën e nevojshme për të qeverisur”, thotë Roland Henwood, ekspert i Shkencave Politike.

Analistët thonë se partia ka parë një rënie të mbështetjes për shkak të dështimit të saj për të ofruar shërbime bazë si furnizimi me ujë të pastër dhe energji elektrike.

Ish-presidenti Jacob Zuma gjithashtu u godit nga akuzat për korrupsion gjatë mandatit të tij, ndërsa infrastruktura e vendit ishte në rënie. Një hetim mbi korrupsionin shtetëror zbuloi se gjatë mandatit të ish-presidentit Zuma, njësitë shtetërore kundër korrupsionit u shpërbënë dhe zbatimi i ligjit u dobësua.

Zoti Ramaphosa bëri fushatë për luftimin e korrupsionit dhe ndonëse ishte një rrugëtim i gjatë, organizata kundër korrupsionit, “Corruption Watch”, thotë se presidenti Ramaphosa ka bërë përmirësime.

“Para ardhjes së Presidentit Ramaphosa në pushtet, shoqëria civile nuk kishte shumë hapësirë në debatin publik. Na injoronin, nuk na besonin dhe nuk kishte asnjë marrëdhënie të vërtetë pune. Ndërsa tani, unë mendoj se ka një marrëdhënie mjaft të mirë, sepse qeveria e drejtuar nga Kongresi Kombëtar Afrikan nën udhëheqjen e presidentit Ramaphosa ka ndjekur një qasje më të gjërë, duke kërkuar që në luftën korrupsionit të përfshihet e tërë shoqëria, jo vetëm qeveria dhe forcat e zbatimit të ligjit”, thotë Kavish Pillay nga organizata “Corruption Watch”.

Presidenti Ramaphosa thotë se do ta sfidojë raportin disiplinor. Analistët politikë thonë se ai është një kandidat i fortë për kreun e partisë në konferencën e ardhshme të Kongresit Kombëtar Afrikan që do të fillojë më 16 dhjetor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments