Koalicioni VLEN në Çair ka drejtuar akuza të forta ndaj kandidatit për kryetar komune, Bujar Osmani, duke e cilësuar atë si “kalorësin e fundit të Nikolla Gruevskit” dhe duke e akuzuar për një seri gënjeshtrash e manipulimesh politike.
Arbnor Maliqi nga VLEN-Çair tha para mediave se Osmani, gjatë karrierës së tij politike, nuk ka përmbushur premtimet e dhëna, por ka përdorur gënjeshtra për të mashtruar qytetarët shqiptarë.
Sipas tij, Osmani fillimisht ka mohuar takimin me ish-kryeministrin Gruevski, megjithëse ekzistojnë dëshmi që tregojnë të kundërtën. Po ashtu, ai akuzohet për mbi dhjetë takime të fshehta me zyrtarë shtetërorë të Serbisë, për të cilat nuk ka dhënë asnjëherë shpjegim para publikut.
VLEN thekson se gjatë kohës kur Osmani ka pasur funksione të larta shtetërore, është lejuar hyrja e kompanisë serbe MTEL në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni, ndërsa ndërtimi i rrugës drejt pikës kufitare në Bllacë është përdorur vazhdimisht si premtim elektoral i parealizuar.
“Pse Bujar Osmani refuzon të japë shpjegime për personat dhe interesat që qëndrojnë pas hyrjes së kapitalit serb në telekomunikacion dhe industrinë e lojërave të fatit? A kanë lidhje vizitat e tij të shpeshta në Serbi me këto marrëveshje të dyshimta?”, pyeti Maliqi.
Sipas VLEN, Osmani ka qenë një nga përkrahësit më të zëshëm të nismës “Ballkani i Hapur”, e cila, sipas tyre, ka fuqizuar ndikimin e Beogradit në rajon dhe ka dëmtuar interesat e shqiptarëve.
“Bujar Osmani sot përfaqëson më shumë interesat e Gruevskit, Mijallkovit dhe Beogradit sesa ato të qytetarëve shqiptarë. Ai është shndërruar në zëdhënës të Ali Ahmetit dhe strukturave të vjetra të pushtetit,” u shpreh Maliqi.
VLEN kërkoi nga kandidati për kryetar komune që të përballet me akuzat dhe të pranojë përgjegjësinë politike.