Shkupi nuk ia ka dalë që të kalojë në “play off” të Europa Leagues teksa në ndeshjen e kthimit me Shamrock Rovers u mund me rezultatin 1-2 në shtëpi. Pas humbjes në Irlandë javën e shkuar, kampionët e Maqedonisë së Veriut nuk ia dolën që të shfrytëzojnë rastet që u krijuan në takimin e zhvilluar në “Toše Proeski Arena”, duke u mundur për të dytën herë e duke u ndalur në raundin e tretë të Europa League..
Pjesa e parë ishte e dominuar nga vendasit, megjithatë në anën tjetër irlandezët synuan herë pas here për të mbyllur gjithçka me kundërsulmet e tyre, por pa rezultat. Në pjesën e dytë Shkupi e rriti akoma dhe më shumë ritmin, megjithatë e pati të vështirë që të rrezikonte seriozisht portën e Shamrock Rovers.
Pak pasi ishte mbushur një orë lojë, Shamrock arriti që të kalonte në avantazh. Gaffney realizoi nga distanca, i ndihmuar dhe nga një devijim i një prej mbrojtësve të skuadrës vendase. Në vijim Shkupi tentoi që të bënte të pamundurën, megjithatë nuk arriti që të linte shenjë. 5 minuta para fundit irlandezët shënuan dhe golin e dytë me anë të Emakhu, duke mbyllur çdo llogari të kësaj sfide, ndërsa në shtesë Adetunji shënoi golin e nderit për shkupjanët.
Aventura europiane për kampionët e Maqedonisë së Veriut do të zhvendoset në Conference League, ku do të gjejnë skuadrën që do të kualifikohet nga çifti Ballkani-Klaksvik. Dardanët e kanë fituar 3-2 ndeshjen e parë dhe me ekzsiton mundësia që të kemi një derbi shqiptarësh në Ligën e Konferencës, e rrjedhimisht në fazën e grupeve do të kishim një ekip shqiptar.supersport.al
Shkupi – Shamrock Rovers 1-2