16.8 C
Tetovo
E diel, 19 Maj, 2024
BallinaLajmeVërtetohet teksti i Propozim-ligjit të ri për arsim të mesëm

Vërtetohet teksti i Propozim-ligjit të ri për arsim të mesëm

Në seancën e Qeverisë sot janë përcaktuar tekstet e Propozim-ligjit të ri për arsimin e mesëm dhe Propozim-ligjit të ri për arsimin dhe trajnimin profesional, me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Qëllimi i ligjit të ri për arsimin e mesëm, sipas propozuesit, është të mundësojë përmirësimin e sistemit të arsimit të mesëm, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e të gjithë sistemit arsimor në vend.

Nxënësit, siç bën të ditur shërbimi për shtyp qeveritar, në procesin e arsimit të mesëm do të përfitojnë njohuri dhe aftësi, me të cilat do të mund të vazhdojnë shkollimin e mëtutjeshëm, por në të njëjtën kohë do t’i bëjnë nxënësit konkurrues në tregun e punës dhe ta lehtësojë rrugën e tyre drejt punësimit ose vetëpunësimit.

Një risi e veçantë që vendoset është në kapitullin “Provimet në përfundim të arsimit të mesëm”, gjegjësisht vendosja e maturës profesionale dhe e provimit pranues akademik.

Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit të mesëm, sipas planit, nxënësit japin maturën shtetërore ose maturën shkollore. Pas përfundimit të vitit të fundit në Programin ndërkombëtar për arsim të mesëm (programi IB), nxënësut japin maturën ndërkombëtare dhe/ose maturën shtetërore.

Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional katërvjeçar, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës profesionale. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional me kohëzgjatje dy ose trevjeçare, nxënësit i nënshtrohen provimit përfundimtar. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit të mesëm artistik, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës së artit.

Koncepti për provimet në përfundim të arsimit të mesëm hartohet nga Qendra shtetërore e provimeve dhe me propozim të Këshillit shtetëror të maturës akademike, përcaktohet nga ministri.

Risi ka edhe në kapitullin “Të drejtat dhe detyrimet e nxënësve dhe organizimi dhe pjesëmarrja e nxënësve”. Çdo punonjës në shkollë, sipas dispozitave, është i detyruar të kujdeset për interesin më të mirë të nxënësit dhe të respektojë dinjitetin e tij, si dhe të drejtat e tij sipas Konventës për të drejtat e fëmijëve. Ndalohet abuzimi dhe ndëshkimi fizik, mendor dhe seksual i nxënësit dhe sjellja dhe trajtimi poshtërues ndaj tij.

Qeveria në seancën e sotme e vërtetoi edhe tekstin e Projektligjit të ri për arsimin dhe trajnimin profesional.

Ligji për arsimin dhe trajnimin profesional, i cili aktualisht është në zbatim, është miratuar në vitin 2006, ndërsa reforma në arsimin dhe trajnimin profesional, sipas propozuesit, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është i lidhur ngushtë me ndryshimet në tregun e punës dhe nevoja për një model të arsimit dhe formimit profesional që synon krijimin e burimeve njerëzore për nevojat e tregut të punës, nëpërmjet punësimit apo vetëpunësimit.

Miratimi i Ligjit të ri për arsimin dhe trajnimin profesional është përcaktuar edhe me Planin vjetor për punën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments