6.2 C
Tetovo
E premte, 26 Prill, 2024
BallinaLajmeTimonie: Franca ka disa arsye pse të hamendet për dhënien e datës...

Timonie: Franca ka disa arsye pse të hamendet për dhënien e datës së bisedimeve me BE-në

Në një intervistë me Portalb.mk, ambasadori i Francës në Shkup, Kristian Timonie flet për pritjet e shtetit të tij para se të vendoset për fatin e euro-integrimeve të Maqedonisë së Veriut. Ambasadori disa herë potencon se reformat duhet të jenë të prekshme dhe reale si për qytetarët ashtu edhe për ti plotësuar kriteret për dhënien e datës. Ai thotë se Franca ende nuk ka vendosur nëse do të jep drite jeshile për caktimin e datës për aderim të RMV-së në BE.

Pse Franca ende nuk ka një qëndrim të qartë në lidhje me datën për negociata të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, a është për apo kundër? Një qëndrim i cili nuk do të jetë fjalia e mirënjohur që “e mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”?

“Kjo pyetje mbetet e hapur, si për Francën ashtu edhe për vendet e tjera, ende po diskutojmë. Gjithashtu, dëshirojmë t’i lëmë edhe pak kohë RMV-së të miratojë disa vendime dhe këtë e presim jo vetëm nga partia në pushtet por edhe nga opozita. Ende mbetet e hapur çështja e Ligjit për Prokurorinë Speciale si dhe problemi me mënyrën se si vendi e trajton korrupsionin e lartë. Ligji është shumë me rëndësi sepse ka lëndë gjyqësore që nuk janë mbyllur, por gjithashtu në pah dolën edhe afera të reja pas skandalit të “Reket”-it për të cilin presim hetim transparent.
Funksionimi i gjyqësorit është i dobët dhe ende nuk është çliruar nga prangat e politikës. Në vend se të koncentrohen partitë në zgjidhjen e problemeve posaçërisht të korrupsionit, ata kërcënojnë njëra tjetrën. Kjo na vendos neve si shtet por dhe vendet tjera para një realiteti të cilit do të duhet t’i qasemi në një mënyrë më të thellë, përndryshe përcaktimi i datës do të ishte vetëm një formalitet. Andaj kur kërkojmë kohë për të vendosur për të njëjtën, kjo do të thotë se kërkojmë që dhënia e datës të ketë përmbajtje dhe jo vetëm formë.
Të ketë përparim real, bindës dhe serioz në sferën e drejtësisë.”

Çfarë mendoni për procesin e “Vetingut” në gjyqësor si mjet të reformave në gjyqësor?

“Çështja e “Vetingut” nuk është e lehtë dhe nuk duhet bërë sa për sy e faqe vetëm për të kënaqur dikë në Bruksel. Nëse bëhet fjalë vetëm për proces të motivuar politikisht me tendencë të “pastrimit” të disa personave, atëherë kemi situatë shumë të rrezikshme. Duhet të kihet kujdes në atë se jo gjithkush mund ta realizojë këtë proces.”

Pse Franca ka kaq rezerva për dhënien e datës dhe çfarë rrezikon BE-ja nëse e jep të njëjtën?

“Bashkimin Evropian e konsiderojmë si konstrukt serioz të vlerave evropiane dhe presidenti Makron u përzgjodh për vizonin e tij për thellim të këtij konstrukti evropian. Ne jemi të gatshëm të përballemi me çështjen e thellimit dhe zgjerimit të tij. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë specifike nga aspekti sociologjik dhe historik andaj dhe në çështjen e zgjerimit duhet të shikojmë përmes modaliteteve adekuate që janë specifike për këtë regjion.
Lista e reformave ende mbetet e pa-përmbushur, reformat që duhej të mbaronin nuk kanë mbaruar. Për shembull, në RMV ende nuk është miratuar Ligji për Shërbimet sekrete i cili duhej të miratohej me dy të tretat në Kuvend, ky është vetëm një shembull. Andaj, nuk duhet të jemi peng i logjikës se Maqedonisë së Veriut duhet t’i jepet data si peshqesh, vetëm se ka pritur gjatë para dyerve të BE-së.”

Por megjithatë RMV-ja shënoi përparim në kërkesën e BE-së për “marrëdhënie të mira fqinjësore”, ndryshoi kushtetutën dhe emrin, miratoi ligjet në fushën e drejtësisë…

“Është me rëndësi që ligjet mos të mbeten vetëm në letër dhe duhet të zbatohen. Sa i përket politikës së jashtme, presidenti Makron e përshëndeti, për herë të parë në historinë tonë, përmes një video-je arritjen e Marrëveshjes së Prespës për te treguar se e çmojmë lartë këtë që ka bërë RMV-ja, e cila ka një rëndësi serioze.
Megjithatë, nuk duhet të shikojmë vetëm Prespën, por ajo që ndikon në dhënien e datës është funksionaliteti i sistemit tuaj në të cilën bëjnë pjesë institucionet, miratohen ligjet, në aftësinë për e juaj për të implementuar reformat. Ideja që mbisundon në opinion është se rruga në të cilën është nisur Maqedonia duhet të jetë e suksesshme dhe e shpejtë, por ideja e jonë është të gjendet rrugë efikase dhe reale në të cilën Maqedonia të ecë.
Duke pasur parasysh përvojat e mëhershme me vende që janë bërë anëtare, mund të themi se anëtarësimi i disa vendeve ka mundur të jetë më efikas. Në këto vende nuk ndryshuan shumë situatën as negociatat e as anëtarësimi i tyre në BE. Kjo ndodhi sepse edhe përkundër reformave, sistemi i tyre sërish mbetet i bllokuar nga partitë politike si dhe nga dhjetëra familje që mbajnë peng sistemin ekonomik në vend. Ne nuk duam të fusim më shumë vende të këtilla në BE. Prandaj që integrimi i vendit tuaj të jetë real, efikas dhe efektiv dhe që mos mbeten ligjet në letër, ne duhet që patjetër seriozisht të vlerësojmë arritjet në këtë shtet, duke u nisur nga dhënia e datës.
Ideja e Francës është të ndërtohet sistem real politik evropian me vende që vet kanë sisteme të fuqishme politike funksionale, me të edhe tu bëjë ballë vendeve të tjera të fuqishme siç janë Kina, Rusia, SHBA-ja.”

Por flasim vetëm për një datë, është vetëm fillimi i procesit, kapitujt do të hapen një nga një dhe aty mund të behet vlerësimi…

“Kjo logjikë më brengos, “logjika e toboganit” kur një vend që ka hipur lartë duhet patjetër të zbret poshtë. Gjatë eksperiencës me vendet tjera e pamë që edhe pse vendi ka arritur poshtë, mekanizmat për kontroll të arritjeve të tyre nuk kanë qenë shumë efikase. Vendi nuk i ka plotësuar gjitha kushtet, kjo ndodh edhe me vendet që kanë hapur bisedimet aktualisht, ku madje ka regres në disa sfera, shembull, liria e mediave si dhe sundimi i së drejtës.
Qeveritë sikur “lirohen” dhe thonë pasi i hapëm bisedimet, ka kohë do të punojmë ndër vite në këto çështje. Por kjo nuk është logjika jonë. Ne kërkojmë reformim thelbësor në gjyqësor, përparim real dhe serioz në vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç përmenda më lartë, shtete me sisteme funksionale që respektojnë vlerat evropiane. Nëse në RMV do të miratohej një Ligj serioz i Anti-Korrupsionit do të ishim bindur që verës për dhënien e datës. Ligji ka mangësi, ka mundur të jetë më i mirë, Komisionit për Antikorrupsion i mungojnë mjetet financiare që të jetë vërtet i përforcuar, kështu siç është, është stërmbushur me lëndë. Mes partive politike në vend, si atyre në pushtet si atyre në opozitë, mungon kultura e kompromisit real e cila nuk është në kurriz të drejtësisë dhe mosndëshkimit. “

Nëse RMV nuk merr datë tani do të ketë një zhgënjim të madh në popullatë, sidomos te të rinjtë që e lëshojnë vendin ndërkaq rrezikon të kthehet edhe nacionalizmi…

“Zhgënjimi i vërtet te qytetarët është kur nuk ka reforma reale dhe nëse ne japim datën dhe vendi nuk i realizon detyrimet është ende më keq. Si ne si popullata do të sheh se s’ka përparim real dhe do të ketë zhgënjim më të madh pas një kohe. Kuptohet që edhe ne jemi për të mbajtur shpresën evropiane gjallë për Maqedoninë, por jo në mënyrën që tani do ti hapim negociatat sa për shpresë dhe nuk do të arrijmë me dekada t’i mbyllim pasi që s’ka progres real.”

Çfarë mendoni për mesazhet e liderëve të Bashkimit Evropian dërguar vendeve anëtare se data duhet të jepet?

“Ata janë të lirë të thonë çfarë të dëshirojnë siç jemi edhe ne. Ata janë persona me të cilët e ndajmë bashkërisht idenë themelore, por për zbatimin e saj do të diskutojmë dhe debatojmë ndërkaq vendimi përfundimtar do të merret në Këshillin e Bashkimit Evropian.“

Përpos problemeve të brendshme të vendit, a prisni pengesa të tjera ose kushtëzime për aderimin e RMV-së në BE? Të marrim shembullin e Bullgarisë e cila shprehi linja të kuqe në lidhje me disa personalitete historike (Goce Dellçevi). Si i interpretoni këto kushtëzime?

“Është çështje e komplikuar dhe nuk zgjidhjet “për 5 minuta”. Duhet të ketë një qasje shume kujdesshme për çështjet e tilla senzitive. Rol të madh kanë edhe mediat të ciklat nuk duhet ta përshkallëzojnë situatën me shkrime nxitëse. Duhet të gjendet gjuhë e përbashkët që bashkon dhe jo e kundërta, tani kur jemi dhe para zgjedhjeve parlamentare. Mirë që u nënshkrua marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, por ndoshta u nxitua pak dhe sot ka stagnime për të cilat duhet të gjendet kompromis.“

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments