4.4 C
Tetovo
E shtunë, 20 Prill, 2024
BallinaLajmeKOSOVË/ THIRRI PËR VËLLA-VRASJE, JA ME SA VJET BURGIM MUND TË DËNOHET...

KOSOVË/ THIRRI PËR VËLLA-VRASJE, JA ME SA VJET BURGIM MUND TË DËNOHET AGIM BAHTIRI

Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshu me na vjedh dikush pushtetin”, u shpreh kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri mëngjesin e së hënës.

E, kjo deklaratë e tij, ka mjaftuar që Prokuroria Themelore në Mitrovicë të fillojë hetimet ndaj Bahtirit për veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mos durimit”.

Këtë e konfirmoi gjatë ditës së djeshme për Insajderin, Shyqyri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë për të kryer hetime dhe për të intervistuar dëshmitarë”, tha Syla për Insajderin.

Më vonë gjatë të hënës, kjo Prokurori ka lëshuar një komunikatë për media, në të cilën ka dhënë më shumë detaje rreth rastit të Bahtirit.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton publikun që me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, është intervistuar sot Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut A.B., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë, shkruan Insajderi.

Mirëpo, më vonë Bahtiri është bërë pishman për deklarimin e tij në një medium ku tha se çfarëdo mënyre e krijimit të Qeverisë së re pa VV-në, do të shkaktojë vëlla-vrasje.

Ai tha se deklarata e tij është keqkuptuar dhe se ai personalisht është njeri paqësor, transmeton Insajderi.

“Të thuhet se Agim Bahtiri thërret në vëlla-vrasje është turpi më i madh, qytetarët më njohin, edhe këto portalet më njohin se nuk jam i tillë. Jam njeri i paqës, do të thërras për paqën”, tha Bahtiri.

Por, me sa vite burg mund të dënohet, i pari i Mitrovicës.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, Neni141, pika 1 dhe 2 e këtij neni parasheh që për veprën për të cilën po hetohet Bahtiri, të dënohet me një deri në tetë vite burgim.

Neni 141 Nxitja e përçarjes dhe mos durimit :

  1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
  2. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

E, ndaj deklaratës së tij nuk ishte distancuar as vet partia e Bahtirit, Vetëvendosje, të cilës Bahitri iu kishte bashkuar në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit.

Zyrtari për media, nga Lëvizja Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha për Gazetën Insajderi të hënën se nuk ka nevojë për konflikt në vend.

“Nuk kemi nevojë për asnjë konflikt, së bashku me qytetarët e vendit, me disiplinën tonë të përbashkët, do ta kalojmë edhe pandeminë edhe secilin problem tjetër”, u shpreh zëdhënësi i LVV-së.

Deklarata e Bahtirit nxiti edhe reagime të përfaqësuesve të subjekteve politike në vend.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, parti e cila qeverisi me Vetëvendosjen deri më 25 mars, ka thënë se diskursi politik për gjak, tradhti, puç, grushtet, rezistencë, vëllavrasje, rebelim qytetar është kulmi i sjelljes së individëve të papërgjegjshëm në Kosovë, por edhe i disave nga Shqipëria. /Insajderi.com

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments