www.telegrami.mk
Nga fillimi i vitit deri në fund të qershorit, nga pagesat e autostradave në Maqedoninë e Veriut janë arkëtuar 1,919,775,277 denarë, mbi 31 milionë euro. Dhe në këtë bilanc bie në sy një e dhënë: pika e pagesës në Tetovë është më e frekuentuara në vend.
Por pyetja është e thjeshtë: nëse Tetova është ndër pikat që gjenerojnë më shumë qarkullim dhe të ardhura, ku po kthehen këto para?
Sepse realiteti në terren është krejt tjetër.
Rruga ekzistuese te pika e pagesës së Tetovës është e mbushur me probleme, me gropa dhe dëmtime që kërkojnë ndërhyrje dhe mirëmbajtje. Por, sipas kritikave që ngrihen në Pollog, edhe një ndërhyrje bazë për riparimin e aksit ekzistues duket se është problem për Ministrinë e Transportit dhe ministrin Aleksandar Nikoloski.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, aksi Tetovë–Gostivar i Korridorit 8, që duhej të ishte një nga projektet strategjike të vendit, vazhdon të jetë pa dinamikën e punimeve që qytetarët e Pollogut presin.
Këtu lind një tjetër pyetje politike dhe ekonomike:
A po i paguan Pollogu rrugët e pjesëve të tjera të Maqedonisë?
Sepse qytetari i Tetovës paguan taksën e autostradës, pika e Tetovës është më e frekuentuara, por kur vjen puna te investimet infrastrukturore, Pollogu vazhdon të presë.
Ndërkohë, investimet dhe projektet e mëdha shfaqen gjithnjë e më shumë në pjesë të tjera të vendit, veçanërisht në Maqedoninë Lindore.
Nuk është e mjaftueshme të thuhet se paratë e pagesave hyjnë në një arkë të përbashkët. Politika e investimeve duhet të jetë e matshme, transparente dhe e drejtë.
Nëse Tetova paguan, Tetova ka të drejtë të pyesë:
Sa para janë mbledhur nga pika e pagesës së Tetovës?
Sa prej tyre janë kthyer në rrugët e Pollogut?
Sa është investuar në aksin Tetovë–Gostivar?
Dhe pse rrugët ekzistuese nuk mirëmbahen siç duhet?
Sepse qytetari nuk mund të dëgjojë çdo ditë për miliarda denarë të arkëtuara nga autostradat, ndërsa vetë të udhëtojë nëpër rrugë të dëmtuara.
Tetova nuk kërkon privilegj. Kërkon të dijë ku shkojnë paratë që paguan.
www.telegrami.mk
P.S Në demostratat e studentëve në Universitetin e Prishtinë 1981 ku isha ndër më të rregulltit si Prishtinas i naturalizuar kishim vetëm një brohoritje në sërbokroatisht Trepça Radi- Beograd se Gradi …Si thua i përshtatet tash o Ministër i Shajshët i transportit Aleksanër Nikoloski konatacioni Naplatna Rampa Tetovo RADI – Istoçna Makedonija Expresni Patevi ti im Gradish …mbaj syze por kur shkruaj i hjek …më fal ministër që pa zyza po të shkruaj…
Mesut Shabani

