Alarmi vjen nga e djathta, e madje edhe ultrakonservatorja Foxnews ka nisur ta ngrejë si hipotezë. A mund të tërhiqet Trump nga gara për Shtëpinë e Bardhë? Nën zë thuhet se republikanët i druhen një disfate shkatërruese.
Skenari apokaliptik për ta, parashikon që Joe Biden të zgjidhet president dhe republikanët të humbasin edhe senatin, përveç Dhomës së Përfaqësuesve. Në këtë situatë, është hedhur ideja se çfarë do të ndodhte nëse Trump vendos të mos i shkojë deri në fund përpjekjes për një mandat të dytë.
Gazetari Charles Gasparino pretendon se tashmë kjo po diskutohet mes liderëve partiakë, edhe pse askush nuk flet publikisht. Alarmi duket është dhënë nisur nga sondazhet në rënie pikiatë për presidentin, edhe pse Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë si “fake news”. Në fund të fundit, edhe në 2016-tën anketimet e nxirrnin humbës, por rezultoi e kundërta.
Këto javët e fundit, hendeku në sondazhe është zgjeruar frikshëm, i jep Bidenit epërsi edhe në shtetet kyçe si Pensilvania, Uiskonsin, Micigan e Ohajo, si dhe në disa shtete që deri vonë dukeshin në krahun republikan, Florida, Arizona dhe dy Karolinat. Megjithatë, deri në zgjedhjet presidenciale ka edhe katër muaj kohë, e presidenti mbase ka kohë që të rekuperojë humbjet.