Skender Rexhepi-Zejdi: Mbështesim interpelancën e Mexhitit kundër Grubit, por përplasjet janë të kurdisura (Video)

48

Deputeti i koalicionit opozitar AAA-ASH, Skender Rexhepi-Zejd thotë se opozita shqiptare do të mbështesë çdo nismë për rrëzimin e Qeverisë apo shkarkimin e ndonjë ministri të saj, shkruan gazeta LAJM . Megjithatë, Rexhepi vlerëson se përplasjet mes nënkryetarit të BDI-së, Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministrit Artan Grubi janë vetëm një lojë e kurdisur mes tyre dhe nuk beson që Mexhiti do të inicojë interpelancë kundër Grubit. Këtë sipas Rexhepit e dëshmon edhe deklarata e fundit e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se mes Mexhitit dhe Grubit ka vetëm hatërmbetje. “Është një lojë për të cilën kam folur edhe më herët.

Është lojë mes strukturave të BDI-së, ku BDI-ja tenton të bëjë opozitën e BDI-së, por ne nuk e lejojmë këtë. Ne jemi opozitë e BDI-së dhe ne jemi ata që do e bëjmë ndryshimin këtu. Megjithatë, çdo lloj interpelance që do të ndodh ndaj qeverisë aktuale ne do e mbështesim, nga ministri deri te rënia e qeverisë. Në këtë drejtim do të ketë mbështetje pa rezervë nga koalicioni ynë, çdo njëri që ngrit interpelancë”, tha deputeti i koalicionit opozitar AAA-ASH, Skender Rexhepi-Zejd për gazetën LAJM. Një ditë më parë, nënkryetari i BDI-së dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Izet Mexhiti, tha se nuk do të heqë dora nga interpelanca e paralajmëruar ndaj zëvendëskryeministrit, Artan Grubi. “Do të vazhdoj në Parlament t’i përkrah aty e kanë mirë dhe t’i kritikoj aty ku e kanë gabim. Mbetet opsioni i interpelancës”, ka deklaruar Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së. Lidhur me përplasjet mes Mexhitit dhe Grubit, ka folur edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit të kryesisë qendrore në Tetovë. Ahmeti tha se në BDI nuk ka mbetur asgjë pa u sqaruar. Mos pajtimet mes grupeve Ahmeti i cilësoi si hatër mbetje. “Po, po, po aspak nuk ka mbetur asgjë pa u sqaruar deri në atomin e fundit. Nuk ka pasur pika që nuk takoheshim fare. Ka mund të ketë ndonjë hatër mbetje apo mos informim të duhur dhe të gjitha gjërat janë parimisht të sqaruara dhe e gjithë punë është në binare të duhura për të marrë përgjegjësi të reja për të çuar punët përpara. Nuk është biseduar fare për dorëheqje. Është biseduar për parime, për strategji, program dhe detyrat që na presin”, pohoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.