9.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeRusia: Dëbimi i diplomatit në RMV, akt armiqësor

Rusia: Dëbimi i diplomatit në RMV, akt armiqësor

Osmani: Shpresoj se ky rast nuk do të ndikojë në raportet Shkup-Moskë

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar rreth vendimit të Maqedonisë së Veriut për të dëbuar një diplomat rus. Në reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse paralajmërohen masa, duke mos saktësuar se për çfarë masash bëhet fjalë dhe kur do të ndërmerren.

“Më 14 Maj ishte ndërmarrë një akt armiqësor ndaj diplomacisë ruse në Maqedoninë e Veriut. Një nga diplomatët ishte shpallur “persona non grata” nga ana e autoriteteve lokale. Dënojmë fuqimisht aktivitetet e këtilla të jomotivuara që nuk mund të ndihmojë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut. Do të pasojnë masa përkatëse”, thuhej në një deklaratë.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, shpreson se vendimi i autoriteteve të vendit për të dëbuar diplomatin rus, nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes Moskës dhe Shkupit. Shpallja e diplomatit rus “persona non grata” është dokumentuar dhe siç tha Osmani, sjellja e tij nuk ka qenë në përputhje me statusin diplomatik.

“MPJ-ja dhe institucionet tjera e kanë dokumentuar këtë rast pas hetimeve të hollësishme dhe në bazë të kësaj është konstatuar se kjo sjellje nuk është në pajtim me statusit diplomatik dhe konform Nenit 9 të Konventës së Vjenës është marrë vendimi që të shpallet “persona non grata” dhe brenda 7 ditëve të largohet nga Maqedonia e Veriut për çka është njoftuar edhe Ambasadori rus, të Premten e kaluar”, tha ai.

Ndryshe, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, institucionet kompetente nuk kanë dhënë shumë detaje, por siç njoftojnë disa media duke iu referuar burimeve të sigurisë, njoftohet se fjala është për një diplomat të rangut më të lartë, i cili në ambasadën ruse në Shkup ka ardhur pas shërbimit në Beograd.

Klan Macedonia

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments