13 C
Tetovo
E premte, 3 Maj, 2024
BallinaEkonomiRMV, me këtë lloj rritjeje ekonomike, do të duhen 40 vjet për...

RMV, me këtë lloj rritjeje ekonomike, do të duhen 40 vjet për të arritur mesataren e BE-së në të ardhurat personale

Nëse qëndrojmë në shpejtësinë historike të rritjes ekonomike, do të na duhen rreth 40 vjet për t’iu afruar mesatares së BE-së në aspektin e të ardhurave personale, tha guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angelovska-Bezhoska në panelin “Gjeopolitika, krijimi i politikave dhe financat” në kuadër të platformës për diskutimin e politikave publike – Forumi Ekonomiko-Financiar i Shkupit (SEFF), i cili u mbajt nën moton “Evropa – PO, Evropa – TANI”, transmeton Portalb.mk.

“Konvergjenca e të ardhurave në rajon dhe në rastin tonë në dy dekadat e fundit është rritur mesatarisht me afro 20 pikë përqindje të PBB-së, ose thuajse dyfishuar. Megjithatë, hendeku në të ardhura është ende i madh, të ardhurat tona janë ende vetëm 40 përqind e mesatares së BE-së”, thotë Angelovska-Bejoska.

Prandaj, guvernatorja beson se nevojiten reforma strukturore të forcuara në tre segmentet kyçe për rritje të përshpejtuar të produktivitetit, investimeve/inovacionit dhe arsimit/fuqisë punëtore.

Por, shton ajo, nevojiten edhe politika që do të mundësojnë trajtimin adekuat të rreziqeve gjeopolitike në rritje, mbi të gjitha, duke përdorur nga përfitimet që ofrojnë tendencat e reja në zinxhirët e prodhimit evropian.

Megjithatë, siç thotë guvernatorja, integrimi tregtar i ekonomisë sonë me BE-në ka arritur në 158 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, i cili është më i larti në Ballkanin Perëndimor dhe i pesti në rajonin e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore.

Në të njëjtën kohë, sipas saj, rreziqet për ekonominë e brendshme që vijnë nga fragmentimi i intensifikuar gjeo-ekonomik në vitet e fundit janë shumë domethënës.

Në panelin e diskutimit, guvernatorja vuri në dukje se rajoni ka nevojë për integrim të mëtejshëm me BE-në dhe në kornizat globale, për të përshpejtuar më tej procesin e konvergjencës ekonomike.

Mirëpo, në këtë proces, u theksuan rreziqet nga zhvillimet e intensifikuara gjeopolitike të theksuara në dy vitet e fundit”, thotë Bezhoska.

Sipas Raportit të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, rreziku gjeo-ekonomik është një nga tre rreziqet më të rëndësishme globale, së bashku me rritjen e kostove të jetesës dhe rreziqet klimatike, si në planin afatmesëm ashtu edhe në atë afatgjatë.

Kjo nuk duhet të jetë befasuese sepse një nga kërcënimet kryesore nga tensionet gjeopolitike është kthesa e globalizimit dhe një numër në rritje i kufizimeve të imponuara tregtare dhe të tjera janë tashmë të dukshme.

Forumi Ekonomiko-Financiar i Shkupit është themeluar nga Ministria e Financave dhe është konferencë vjetore që mbahet për të tretën herë radhazi.

Konferencën e sivjetshme e hapën kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe komisioneri evropian për buxhet, Johannes Hahn. Në Konferencë morën pjesë përfaqësues të organizatave financiare ndërkombëtare, përfaqësues të qeverive të rajonit dhe vendit, diplomatë, si dhe përfaqësues të sektorit të biznesit dhe botës akademike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments