Një burrë nga Tetova i moshës 69-vjeçare është konfirmuar pozitiv në testin e koronavirusit, deklaroi sot mjeku Shaban Memeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik gjatë vizitës në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë. Me këtë Tetova e ka edhe rastin e parë të sëmurë me Kovid 19.
“Mbrëmë është vërtetuar se një burrë i moshës 69-vjeçare ishte pozitiv në testin për koronavirusin. Ai është hospitalizuar, nuk e kamë situatën shumë të njohur sepse erdhëm nga Shkupi në Tetovë. Ai ishte edhe paraprakisht për mjekim në klinikën në Shkup dhe këtu në Tetovë. Të gjitha kontaktet e afërta dhe punonjësit shëndetësorë do të merren në pyetje nga epidemiologët nga Qendra e Shëndetit Publik të Tetovës”, tha Memeti. Në Tetovë deri më tani janë bërë mbi 30 teste.
“Testet bëhen në Institutin e Shëndetit Publik në Shkup në laboratorin e virusologjisë dhe diagnostikës. Për momentin këtu kemi pesë pika për vende rurale, po bëhen anketa epidemiologjike, janë përfshirë edhe mjekë amë”, tha Memeti. Ai bashkë me kryetarin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, dr. Zharko Karaxhovski u takuan me drejtorët e Qendrës për Shëndet Publik, Spitalit Klinik dhe Shtëpisë së Shëndetit.
“Jemi të kënaqur nga qasja e institucioneve të Tetovës. Bëjmë thirrje që qytetarët t’i respektojnë rregullat dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të bëhen teste të rasteve të dyshimta”, tha Memeti.koha.mk