19.2 C
Tetovo
E martë, 7 Maj, 2024
BallinaLajmeRama thotë se marrëveshja për emigrantët me Italinë erdhi natyrshëm, përjashtohen vetëm...

Rama thotë se marrëveshja për emigrantët me Italinë erdhi natyrshëm, përjashtohen vetëm gratë shtatzëna dhe fëmijët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për median italiane Rete 4, ka shpjeguar se marrëveshja e emigrantëve me kryeministren Giorgia Meloni erdhi shumë natyrshëm dhe theksoi se fjalët që janë përhapur se do të vijnë vetëm burra në Shqipëri, nuk është i vërtetë.

Kreu i Qeverisë, e përshkroi akordin si “shumë të kujdesshëm” dhe “me vëmendje ndaj njerëzve, të cilët do të jenë edhe subjekt i këtij operacioni në të ardhmen”.

Sipas Ramës, marrëveshja i përfshin të gjithë, por përjashton nga operimet vetëm gratë shtatzëna dhe fëmijët. Përkundër nga sa thuhej më parë se vetëm burra do të vinin në Shëngjin.

“Edhe në Shqipëri është krijuar ky keqkuptim, që do të ishte dhe i drejtë, nëse do të ishte i vërtetë”, vijoi ai. “Mendoja se debati do të ishte më i qetë në mënyrë të përgjithshme, qoftë në Itali, edhe në Shqipëri. Por ky nuk është akord kapitullimi, apo pushtimi, nuk është një akord që bëhet pa matur kapacitetet dhe mundësitë”.

Për Ramën, është më se normale që të ketë skeptikë, si në gjithçka, pasi në fund ky është thelbi i demokracive në Evropë.

Mbi të gjitha, sipas Ramës, duhet kuptuar edhe se Shqipëria këtë gjë nuk po e bën për asnjë përfitim, aq më pak monetar, ku jo një euro, “por asnjë liretë nuk e ka kërkuar Shqipëria nga Italia”.

Gjithçka, si ka shpjeguar ai, bëhet fjalë vetëm për faktin se Italisë sot i duhej ndihmë dhe se Shqipëria e ka për detyrë të ndihmojë fqinjët, të cilët bënë aq shumë më herët për vendin dhe emigrantët shqiptarë.

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia  – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Po ashtu, në dokumentin e firmosur përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes.

Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.

Shqipëria do shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura./Albanianpost.com

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments