3.7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeQeveria jep detaje të vendimit për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, merr...

Qeveria jep detaje të vendimit për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, merr edhe vendime tjera

Qeveria e Kosovës, përpos ndalimit të qarkullimit të qytetarëve në kuadër të masave ndaj koronavirusit, ka marrë edhe disa vendime tjera, në mbledhjen e saj të së hënës.

Në mesin e këtyre vendimeve është edhe kërkesa për AKP-në që t’i pezullojë të gjitha veprimet me pronat e paluajtshme që ka në dispozicion; vendimi për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë; shqyrtimi i Koncept Dokumentit për reformën gjyqësore në drejtësinë komerciale; shqyrtimin dhe miratimin e Koncept Dokumentit për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës dhe aprovimin e Raportit Vjetor Financiar për vitin 2019.

Në njoftimin për medie nga Zyra e Kryeministrit, janë dhënë detaje të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve:


1. Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);


2. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;


3. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;


4. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;


5. Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi në të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën administrim. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Programi i Qeverisë 2020-2023 parasheh politika që mund të ndryshojnë statusin aktual të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe të ndryshojnë administrimin afatgjatë të pronës publike dhe shoqërore.


Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë dhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga themelimi i kësaj zone në zonat kadastrale të Banjës, Bellanicës dhe Senikut të Malishevës. Në arsyetimin e vendimit thuhet se këto vendime janë në kundërshtim me Ligjin.


Në mbledhjen e sotme, shkruan në njoftim, është shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumenti për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale. Koncept dokumenti ka analizuar dhe identifikuar qasjen e deritashme të komunitetit të biznesit, dhe kohëzgjatjen e trajtimit të lëndëve administrative që lidhen me çështjet ekonomike, e që vjen si rezultat i mungesës së kapaciteteve aktuale. “Pas analizës së Procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe pas identifikimit të problemeve në zbatimin e ligjeve aktuale, Koncept Dokumenti ka rekomanduar ndryshimin e kornizës ligjore përmes hartimit të Ligjit të ri për Gjykatat Komerciale”, shkruan në të.


Po ashtu, sipas kryeministrisë, kabineti ka shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumentin për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës, i cili konstaton se Kosova është një nga vendet e rralla që kompetencat e mbajtjes së evidencës penale i ka lënë në kompetencë të administratës gjyqësore. Koncept Dokumenti rekomandon që të hartohet Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës i cili do ta përcaktonte Ministrinë e Drejtësisë si organ kompetent për administrimin e këtij sistemi.


“Gjithashtu, Qeveria ka aprovuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2019. Raporti evidenton se të hyrat e përgjithshme për vitin 2019 kanë qenë në shumën 2 miliardë e 222 milionë e 920 mijë euro, ndërsa pagesat kapin shumën prej 2 miliardë e 152 milionë e 546 mijë euro”, sipas njoftimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments