Sot gjatë pauzës në spitalin e Tetovës, Organizata sindikale e Spitalit Klinik të Tetovës, Shtëpia e Shëndetit Tetovë, Qendra për shëndet publik dhe spitalit në Leshok kanë protestuar për pagat e vonuara, si dhe për mospagesën e K-15 dhe Marrëveshjen e re kolektive, raporton Nistori.
“Sot dolëm për të protestuar për shkak të vonesës së pagave, që ishte vetëm kapaku i kovës së pakënaqësisë në shëndetësi. Jemi të pakënaqur për shkak të aneksit të pa nënshkruar të marrëveshjes kolektive për rritjen e pagave, e cila duhej të ndodhte gjatë vitit të kaluar, kur duhej të rritej paga minimale 18 mijë denarë. Tani në muajin mars njoftohet se do të ketë rritje të re të pagës minimale prej 20.500 denarë, çka nënkupton se infermieri do të jetë me pagë nën minimalen dhe shteti duhet të bëjë pagesën deri në minimalen. Sot po protestojmë edhe për mos pagesën e K-15 sepse sërish nuk ka pagesë për shëndetësi, po protestojmë edhe për mos nënshkrimin e Marrëveshjes së re Kolektive, e cila duhet të avancojë të drejtat e punëtorëve shëndetësorë. Sot gjithashtu dolëm të protestojmë për dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë dhe kundër qëndrimit ofendues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë ndaj punëtorëve shëndetësorë. Sot dolëm që të shohin se jemi këtu dhe ekzistojmë”, tha Sllobodanka Gërnçarovska, kryetare e Organizatës sindikale.
Ajo shtoi se në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre, hapat e ardhshëm të Sindikatës do të jenë më radikale, por ato do të miratohen nga Këshilli si organi më i lartë i sindikatës së pavarur.
Mjekët në Tetovë dhe personeli tjetër mjekësor thonë se ndonëse dje u është ekzekutuar paga, por sipas tyre nuk është e drejtë që një muaj të tërë të mbeten pa para dhe se ende nuk është paguar paga në të gjitha institucionet shëndetësore në RMV.
Përveç Tetovës, sot para Qendrës Klinike dhe GOB “8 Shtatori” në Shkup kanë protestuar punëtorët shëndetësorë, kështu duke e shfrytëzuar edhe ata pushimin gjysmë ore për të shprehur pakënaqësinë e tyre për shkak të vonesës së pagave për muajin e kaluar, si dhe kërkuan rritje të pagave dhe respektim ndryshimet në pagën minimale. Protesta të këtilla pati edhe në Shtip, Kumanovë, Kamenica Maqedonase, Dellçevë. /Nistori/