Prisnin Pfizer, ju doli Sputnik! Një pjesë e deputetëve të zhgënjyer, disa të tjerë të lumtur se janë vaksinuar

41

Në vend se të vijnë në sallën e Kuvendit, deputetët këtë mëngjes erdhën në sallën Boris Trajkovski. E morën dozën e parë të vaksinës kundër virusit korona.

Mundej të shiheshin vetëm deputetë të shumicës. Deputetët e Lëvizjes Besa në krye me Bilall Kasamin ishin të disponueshëm.

Mungonin deputetët e opozitës. Në lidhje me këtë, koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Mitrevski, tha se ata janë në sallë tjetër për vaksinim.

 “Informacionet që i kam nga grupet e tjera të deputetëve janë se do të vijnë të gjithë deputetët. Nga konsultimet me grupet e tjera të deputetëve gjatë ditës do të vijnë dhe do ta mbarojnë procesin e vaksinimit”, tha Jovan Mitrevski – deputet.

Por kishte edhe deputetë të revoltuar. Gjoja paraprakisht u ishte thënë se do të vaksinohen me Pfizer por kur kanë arritur në sallë, i vaksinuan me vaksinën ruse Sputnik. Pavle Trajanov tha se edhe deputetët duhej të kishin mundësi për të zgjedhur me cilën vaksinë të imunizohen.

 “Zyrtarisht ishte se do të vaksinohemi me Pfizer. Njerëzit përgatiteshin për Pfizer. Tani doli se do të jetë me Sputnik. Mendoj se nuk është korrekt. –Nuk i besoni vaksinës ruse? Besoj në të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve. Të gjitha vaksinat janë super”, u shpreh deputeti Pavle Trajanov.

Pas vaksinimit disa bënë selfi!

Deputetja Maja Moraçanin tha se mezi ka pritur që të vaksinohet pa marrë parasysh  me cilën vaksinë.

 “Unë sinqerisht mezi prisja që të më vijë radha për t’u vaksinuar. –Me cilën vaksinë u vaksinuat? Sinqerisht nuk e di, mendoj se me Sputnik. Po, Sputnik është. Por të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe është e rëndësishme që në mënyrë masive të vaksinohemi, vetëm kështu mund t’i japim fund kësaj pandemie”, theksoi deputetja Maja Moraçanin.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se nuk mund t’i tregojë askujt që të vaksinohet nëse nuk do.

“Është vendim i tyre nëse do të vijnë, është vullnet i secilit individ, nuk është detyrë e kryetarit të Kuvendit. Ky është vullnet i secilit individ. Është e rëndësishme ajo që të gjithë janë përfshirë me planin për vaksinim, kush si do të vendosë, është puna e tyre”, deklaroi Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Filipçe në deklaratën e tij u shpreh se deputetët do të vaksinohen me Sputnik duke mos pasur mundësi për të zgjedhur me cilën vaksinë të vaksinohen.

 “Do të vaksinohen me Sputnik, sot në tre grupe është organizuar procesi i vaksinimit”, shtoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Përndryshe Filipçe paralajmëroi se çdo të hënë do të arrijnë nga 5 deri 7 mijë vaksina Pfizer. Këtë muaj është paraparë të arrijnë 26 mijë. Për më 28 prill duhet të arrijnë 200 mijë vaksina kineze. Arritja e vaksinave do të përputhet me festat e Pashkëve dhe vaksinimi me këtë vaksinë do të realizohet më 4 maj, të martën pas festave. Deri atëherë, do të jenë gati të gjitha sallat e sportit nëpër 6 qytete të tjera.