4.4 C
Tetovo
E shtunë, 20 Prill, 2024
BallinaLajmePremtimet e Teuta Arifit për Komunën e Tetovës – Sa nga ato...

Premtimet e Teuta Arifit për Komunën e Tetovës – Sa nga ato u realizuan

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi e cila sërish fitoji një mandat të ri për të udhëhequr me këtë komunë, në debatet parazgjedhore, ajo dha shumë premtime, të cilat ngelet të shihet se a do të realizohen apo do të jenë pjesë e fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të ardhshme.

Gazeta Populli u rikujton premtimet kryesore të saj, që mos të harrohet fjala e dhënë.

Në Debatpernime në Tetovë, Arifi theksoi se janë zgjidhur tre çështje kyçe për këtë qytet, duke sqaruar se tani ka ujë të pijshëm, nuk ka deponi në hyrje dhe që tymi i fabrikës Jugohrom tani më nuk është problem për qytetarët. Ajo në këtë debat premtoi se në katër vitet e ardhshme do të bëhet trajtimi i ujërave të zeza me dy kolektorë dhe stacionin e pastrimit që do të realizohet me IPA fondet e siguruara, më pas do të investohet në zhvillimin infrastrukturor dhe hapjen e bulevardeve që është projektuar dhe janë siguruar fonde nga banka botërore dhe në kuptimin zhvillimor të programit, është edhe gazifikimi i qytetit.

Sa i përket procesit edukativo arsimor sipas Arifit, parashikimet janë për përparim infrastrukturor në këtë drejtim por ajo premtoi edhe kualitet të mësimdhënies dhe mësim nxënies. Gjithashtu Arifi premtoi edhe rregullimin e shtretërve të lumenjve që sipas saj do të jetë prioritet shumë i rëndësishëm, veçanërisht pas fatkeqësive natyrore të vitit 2015. Gjithashtu ajo premtoi ngritje të standardeve të kulturës dhe ekologjisë.

Lidhur me dendësinë urbane, Arifi edhe në vitin 2013 ka premtuar zgjidhje të transportit publik gjë që nuk është realizuar. Arifi njofton se “ këshilli komunal ka bërë themelimin e ndërmarrjes për transport publik dhe e njëjta nuk është futur në funksion për shkak të mungesës së makinave dhe ne kemi bërë disa kërkesa deri te ministria e transportit për ti pasur shtatë autobusë të cilat nuk na janë aprovuar dhe kësaj radhe nëse sërish marrim përgjigje negative, ka një mënyrë tjetër që do të thotë bashkëpunim me transportuesit privat”.

Arifi po ashtu premtoi se në njëvjeçarin e parë të mandatit të saj do të bëjë zgjerimin e parkingut ekzistues zonal, zonës A dhe zonës B dhe dy garazhe në kate.

Për zgjerimin e tre bulevardeve kyçe të qytetit të Tetovës, “Bllagoja Toska”, “Ilindenit” dhe “Industriales”, Arifi premtoi zgjidhje për secilën, duke thënë se “hapja e ‘Blagoja Toskës’ do të bëhet për dy vite nga fitimi i mandatit, për ‘Industrialen’ do të duhen tre vite dhe ai i ‘ilindenit’ është proces më i gjatë”.

Sa i përket deponisë dhe kontejnerëve, Arifi tha se do të vazhdohet sistemi i riciklimit sekondar për të cilin komuna ka ndarë mjete nga buxheti i këtij viti dhe sipas saj është parashikuar që edhe vitin e ardhshëm të ndahen rreth 800 mijë euro.

“Riciklimi sekondar përveç se do ta përdor këtë lokacion ku është tani, do ta përdor edhe lokalitetin në Falishtë për të cilin është bërë plan urbanistik dhe është marrë leje ekologjike. Sa i përket riaktivizimit të deponisë Rusino se si rajon i pollogut kemi angazhuar dhe kemi fituar mbështetjen e agjencisë zvicerane për investime i cili ka lancuar projekt për rinovimin e deponisë në fjale prej rreth 8 milion euro. Gjatë këtij viti pritet të kryhet projekt dokumentacioni dhe vitin e ardhshëm pritet të fillojë rinovimi i deponisë”, tha Arifi.

Ajo gjithashtu premtoi që do të heq deponitë e egra në lagjen ‘Dervish Cara’ dhe te çarshia e Tetovës për një periudhë kohorë shumë të shkurtër dhe apeloi që qytetarët të kenë kujdes se ku i hedhin mbeturinat.

Që nga viti 2003 Tetova është ende me plan të njejtë urbanistik. Nevoja për një plan të ri të përgjithshëm urbanistik është shtuar moti por në formë zyrtare ende nuk ka plan të ri. Këtu paraqitet problemi i legalizimit, ku që nga viti 2011 deri te komuna janë dorëzuar 11 590 kërkesa për rregullimin e statusit juridik të ndërtimeve pa leje. Deri më tani kanë përfunduar me legalizimin e 3900 prona. Do të thotë se për gjashtë vite janë proceduar vetëm një e treta e kërkesave.

“Sa i përket planit urbanistik, është bërë azhurnimi i tokës dhe i nivelit kadastror sa i përket fillimit të procedurës dhe brenda fillimit të mandatit sigurisht që plani gjeneral urbanistik do të jetë në funksionim e sipër. Mirëpo në të njejtën kohë duhet pasur parasysh faktin që legalizimi i këtyre objekteve duhet të inkorporohet në planin gjeneral urbanistik, kështu që tendenca do të jetë që të përshpejtohet çështja e legalizimeve të objekteve pa leje dhe në të njejtën kohë faktikisht ne kemi punuar edhe në ndryshimin e planeve detale urbanistike të cilat po ashtu kanë qenë kërkesë dhe nevojë e qytetarëve dhe në atë proces të ndryshimeve të planeve urbanistike kemi bërë edhe inkorporominin e objekteve pa leje. Gjithashtu duhet pasur parasysh që ka pasur edhe një zgjatje të afatit për legalizimin e objekteve dhe kjo mund të vonojë edhe pak procedurën”, tha Arifi.

Kryetarja e Tetovës edhe në vitin 2013 premtoi se do të bëjë plan urbanistik qysh me fitimin e mandatit, që nuk u realizua. Ajo tha se deri më tani është bërë azhurnimi i bazës që të mundet të kalohet në planin gjeneral urbanistik. Me këtë ritëm a duhet të pritet edhe 12 vjet për legalizimin e objekteve pa leje, Arifi përgjigjet se “në mandatin e ardhshëm (këtë mandat) do të kryhet mjaft punë dhe deri në përfundim të tij do të adresojmë rreth 7 mijë kërkesa”.

Arifi po ashtu premton se gjatë mandatit të saj katërvjeçar do të investohen në rregullimin e sistemit dhe rrjetin e ujësjellësit .

Sa i përket stadiumit të qytetit, Arifi sqaron se stadiumi është projekt i nivelit shtetëror i cili është kaluar komunës me vendim të qeverisë dhe ka kaluar në partneritet publiko privat, ndërkohë që partneri privat që merr duhet të investoj 7 milion euro në dy stadiumet e Tetovës, në të madhin dhe të voglin.

“Ne në bashkëpunim kemi hap procedurën dhe kemi fituar nga fondet e FIFA-s rregullimin e terrenit dhe rregullimin e ndriçimit kurse në kontratë e sipër partneri privat është duke i bërë përgatitjet dhe projektet për të nisur investimet”, tha Arifi, e cila shtoi se beson që gjatë mandatit katër vjeçar edhe ky premtim do të realizohet.

Lidhur me shkollën fillore në Reçicë të Vogël, ndërtimin e objektit të së cilës Arifi e premtoi mandatin e kaluar dhe nuk e realizoi, sërish premton se ‘ajo do të ndërtohet, por buxhetimi e ka pasur përsipër qeveria nëpërmjet një fondi kinez, komuna ka pasur për obligim që të jep leje për ndërtim dhe të bëjë projektin, gjë që ka realizuar por në ndërkohë investimi ka munguar’.

Për këtë arsye Arifi thekson se i është drejtuar qeverisë së re dhe shpreson që kësaj radhe do të realizohet ky premtim.

Arifi bën të ditur se mandatin e kaluar ka marrë Tetovën me tetë milion euro borxh të regjistruar dhe një pjesë të pa regjistruar, dhe premton që gjatë këtij mandati të reduktohet shuma e këtij borxhi nga një milion në vit, dhe dëshmon se borxhi aktual i kësaj komune është 7 deri 8 milion euro.

https://gazetapopulli.net/premtimet-e-teuta-arifit-per-komunen-e-tetoves-sa-nga-ato-u-realizuan-2

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments