11.5 C
Tetovo
E premte, 17 Maj, 2024
BallinaLajmePendarovski: Vrasja e dyfishtë e fundit paraqet akt ekstrem dhe një retorikë...

Pendarovski: Vrasja e dyfishtë e fundit paraqet akt ekstrem dhe një retorikë të urrejtjes, si dhe kërcënim për stabilitetin e shoqërisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një fjalim të mbajtur gjatë Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, theksoi rëndësinë e forcimit të institucioneve dhe të luftës kundër ekstremizmit si detyra kryesore të strukturave politike demokratike. Ai vuri në dukje se ngjarjet e fundit tragjike në vend kanë nxjerrë në pah aktivitetin e grupeve radikale dhe rrezikun që paraqet retorika e tyre e urrejtjes.

“Prandaj mendoj se detyra parësore e të gjitha strukturave politike demokratike është forcimi i rezistencës së institucioneve dhe lufta e vazhdueshme kundër ekstremistëve, pa kalkulime politike ditore”, tha Pendarovski.

Pendarovski përmendi gjithashtu sfidat e nacionalizmit në rritje dhe provokimet nacionaliste që synojnë të cënojnë stabilitetin dhe demokracinë e vendit. Duke u shprehur në një ngjarje të organizuar nga Agjencia për realizimin e të drejtave të komuniteteve dhe OSBE, ai theksoi nevojën për një angazhim të vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përkujtuar 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

“Pavarësisht se në nivel rajonal dhe global ekzistojnë disa organizata ndërkombëtare, kompetenca parësore e të cilave është ndër të tjera mbrojtja e të drejtave të njeriut, si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, por edhe institucione gjyqësore si p.sh. si Tribunali Ndërkombëtar Penal me kompetencë për të ndjekur penalisht shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, duket se koha e konsensusit global për të drejtat e njeriut është prapa nesh dhe po vjen një epokë e re luftërash, represionesh dhe regjimesh autoritare”, theksoi Pendarovski.

Në fjalën e tij, Pendarovski pohoi se përparimi dhe mirëqenia e kombeve, si dhe paqja ndërkombëtare, janë të mundshme vetëm nëpërmjet respektimit të të drejtave të njeriut. Ai vlerësoi Marrëveshjen Kornizë e Ohrit si një shembull të suksesshëm të ndërtimit të një demokracie multikulturore, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka vendosur standarde të larta për respektimin e të drejtave të njeriut në rajon dhe më gjerë.

“Si atëherë dhe tani, jam i bindur se kjo kontratë e re sociale na lejoi të ruanim shtetin dhe paqen dhe të ndërtonim një të ardhme të përbashkët. Megjithatë, koha e nacionalizmit në rritje nuk po e kalon vendin tonë. Fatkeqësisht, gjithnjë e më shpesh jemi dëshmitarë të provokimeve nacionaliste që vijnë nga qarqe të caktuara politike dhe fetare, me qëllimin e vetëm që të prishin stabilitetin e shtetit dhe të cenojnë rendin demokratik duke imponuar botëkuptimin e tyre. Një pjesë e mirë e këtyre sulmeve janë rezultat i fushatave propagandistike të qendrave të huaja ose infiltrimit dhe mbështetjes së tyre të drejtpërdrejtë të organizatave radikale politike”, tha Pendarovski.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments