Problemi qëndron në organizimin jo të mirë institucional dhe te mungesa e kontrolleve të brendshme të institucioneve shtetërore. Ato duhet të parandalojnë që të punësuarit e tyre – të bëjnë kriminalitet dhe t’i keqpërdorin të dhënat personale dhe integritetin e qytetarëve, thotë Pavle Trajanov, ish ministër i Punëve të Brendshme.
Vjedhja e identiteteve të qytetarëve që është shfrytëzuar për 215 pasaporta të rremë, numra amë të duplifikuar, procedura të dyshimta për rreth 100 mijë formulare për lëshimin e certifikatave të lindjes… janë vetëm një pjesë nga aferat që u hapën gjatë javëve të kaluara, ndërsa kanë të bëjnë me keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Problemi qëndron në organizimin jo të mirë institucional dhe mungesa e kontrolleve të brendshme të institucioneve shtetërore. Ato duhet të parandalojnë që të punësuarit e tyre të bëjnë kriminalitet dhe t’i keqpërdorin të dhënat personale dhe integritetin e qytetarëve, thotë Pavle Trajanov, ish ministër i Punëve të Brendshme. Sipas tij, është dëshpëruese që institucionet shtetërore të cilat janë krijuar për të mbajt rend, nuk e arrijnë këtë për të cilën janë krijuar.
“Problemi kryesorë është partizimi i këtyre institucioneve vitale, dhe pa ndonjë kontroll të sigurisë i kanë mbushur gjitha institucionet, përfshirë edhe MPB-në, persona me dosie kriminele të cilët nuk guxojnë të afrohen as te pragu, e lëre më të jenë përgjegjës për librat amë, për lejet e vozitjes, pasaportat etj. Ky është problemi kryesorë dhe korrupsioni, domethënë nuk janë imunë ndaj strukturave kriminale, dhe kjo është e tëra, kriminalizimi ka hyrë në këto institucione vitale dhe këtu qëndron problemi kryesorë. Çështja e dytë, në mënyrë sistematike nuk janë të ndërlidhura gjitha evidencat, nuk ekziston kontroll sistematike. Nëse mund secili të krijon numër amë të ri në bazë të asaj ti jepet letër njoftim, pasaportë, shtetësi, kjo do të thotë se sistemi nuk funksionon, se nuk janë siguruar mekanizma mbrojtëse, këtu qëndron problemi, nëse krijohet numri amë i ri, gjitha dokumentet mund të jepen”, ka deklaruar për KOHA, Trajanov. Ai mes tjerash shton se secili qytetarë që vlerëson se i janë keqpërdorur të dhënat personale, mundet dhe duhet të ngrit procedurë për verifikimin e keqpërdorimit sipas Ligjit për Mbrojtje të të dhënave personale si dhe kompensim të dëmit.
Por, aferat e lartpërmendura janë vetëm një pjesë ku me dekada janë keqpërdorur të dhënat e qytetarëve por edhe privatësia e tyre. Kohë më parë për përgjimin masiv në mënyrë joligjore të mbi 20 mijë qytetarëve, i dënuar ishte ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov me 12 vite burg, bashkë me bashkëpunëtorët e tij në lëndën “Target-Fortesa”. Dhe kjo nuk është hera e parë që qytetarët të ndiqen në mënyrë joligjore dhe të përgjohen. Trajanov rikujton se në kohën kur lëshoheshin lejet e qarkullimit me identitet të rremë ose të vjedhur, nuk ka pasur formulare të mjaftueshme për lëshimin e pasaportave për qytetarët, vlefshmëria e të cilëve kishte skaduar. Bëhet fjalë për periudhën nga fundi i vitit 2019 dhe fillimin e vitit 2020 kur autoritetet i sqaronin opinionit se për shkak të planifikimit të dobët ka pasur mungesë serioze të formulareve për lëshimin e pasaportave, dhe në atë kohë të drejtë për pasaportë me procedurë të shpejtë kanë pasur vetëm ato qytetarë me probleme shëndetësore të cilët e kanë pasur patjetër të operohen jashtë shtetit. Në atë periudhë, gjegjësisht në janar të vitit të kaluar, sipas disa hulumtimeve, pasaportë i është dhënë njërit nga mafiozët që u arrestuan me pasaportë maqedonase dhe identitet të rremë. Gjatë ditëve të kaluara, nuk janë ndalur akuzat partiake për atë se kush është fajtori për gjendjen me keqpërdorimin e të dhënave personale. Sipas Ministrit për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, hetimi për dhënien e pasaportave me identitete të vjedhura ka filluar më 20 shkurt të vitit 2019, që domethënë se ka zgjatur më shumë se dy vite. Nga ana tjetër, Naqe Çulev, i cili në janar të vitit të kaluar, u bë Ministër teknik për Punë të Brendshme, në rrjetin social Facebook kishte shkruar se Ministri Spasovski ka pasur kohë katër vite që ta mbaronte hetimin. Në bazë të kësaj që kishte shkruar Çulev, mund të konkludohet se hetimi kishte filluar shumë më herët.
Me identitet të dyfishtë ishin arrestuar edhe ish figurat kryesore të DSK-së dhe të akuzuar për disa vepra penale, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski në aeroportin e Selanikut. Trajanov thotë se të gjithë shembujt dhe çështjet e deritanishme tregojnë se sa i brishtë është sistemi ligjor në pjesën e kësaj fushe të dokumenteve, ku shumë gjëra duhet të stabilizohen dhe të futen mekanizmat e kontrollit kualitativ. MPB informon opinionin se duplifikimi i numrave amë është i vjetër 40 vite, se kjo gjë ka filluar që në vitin 1981 dhe se pas zbulimit të kësaj menjëherë është vepruar për anulimin e këtyre numrave amë dhe kjo procedurë tashmë një kohë të gjatë po zhvillohet, ndërsa pjesa më e madhe e numrave amë janë anuluar.
Ndërsa nga opozita pretendojnë se ky problem real ka lindur gjatë viteve të fundit, kur numrat amë të duplifikuar janë shfrytëzuar për mashtrime zgjedhore, një person ka pasur të drejtë me dy letërnjoftime me adresa të ndryshme të voton në dy vendvotime. Prokuroria Themelore Publike ka ngritur padi kundër 11 personave për rastin e keqpërdorimit gjatë lëshimit të pasaportave. Sipas aktakuzës, 10 persona janë akuzuar për vazhdimin e veprës penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve”, ndërsa një person është akuzuar për nxitje gjatë kryerjes së veprës së njëjtë penale.(koha.mk)