Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se ka dhënë informacione të pasakta lidhur me shpenzimet për organizimin e festimit të pavarësisë së vendit.
Nga LSDM thonë se, ndryshe nga deklaratat e Mickoskit se organizimi ka kushtuar “0 denarë”, përmes Lotarisë Shtetërore, e cila është kompani në pronësi të plotë të shtetit, janë shpenzuar më shumë se 5 milionë euro.
“Edhe një herë është konfirmuar se Mickoski po gënjen. Dje, edhe zëdhënësja e tij e qeverisë e mohoi këtë në një konferencë për shtyp. Nuk janë ‘0 denarë’, siç pretendoi Mickoski, por mbi 5 milionë euro, para të qytetarëve, janë shpenzuar për festimin e pavarësisë”, deklarojnë nga LSDM.
Partia opozitare kërkon që të publikohen të gjitha të dhënat lidhur me shpenzimet dhe pagesat, duke kërkuar sqarime se cilat kompani kanë marrë fonde dhe mbi çfarë kriteresh janë bërë pagesat.
“Përmes Lotarisë Shtetërore, e cila është një kompani 100 për qind shtetërore, janë shpenzuar mbi 5 milionë euro dhe askush nuk e di se ku dhe për çfarë. Pasi pranon se nuk janë ‘0 denarë’, por mbi 5 milionë euro, Mickoski duhet të njoftojë publikisht se ku përfunduan paratë e qytetarëve. Cilat kompani morën miliona euro dhe mbi bazën e cilave kritere? Sa milionë euro u shpenzuan për komisione dhe përqindje?”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga partia opozitare e cilësojnë rastin si “përvetësim të madh të parave” dhe kërkojnë transparencë të plotë për mënyrën se si janë përdorur fondet.
LSDM kërkon që kryeministri Mickoski të publikojë të gjitha pagesat, në mënyrë që qytetarët të kenë informacion se sa mjete janë shpenzuar, cilat kompani i kanë përfituar dhe për çfarë qëllimi.
Deri në publikimin e këtyre të dhënave, akuzat e LSDM-së mbeten qëndrime të partisë opozitare lidhur me mënyrën e financimit të festimit të pavarësisë
