Pas Teatrit të Shkupit histori e njëjtë edhe në Tetovë 7 vite vonesë të Teatrit gjithë kohën BDI në pushtet

54

Kanë kaluar 7 vjet që kur u vendos gurthemeli për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. E që atëherë objekti ende nuk është në funksion. Premtimet ishin se teatri do të jetë gati në vitin 2018, megjithatë jemi në vitin 2021 e deri tani ka përfunduar vetëm faza e parë e projektit. Ministrja e Kulturës, Irena Stefkoska thotë se nga ana e ministrisë mjetet buxhetore janë ndarë, por pa precizuar shumën dhe nëse janë të mjaftueshme për finalizimin e objektit.

“Për teatrin janë ndarë mjete, këtë vit vazhdojnë aktivitet në Teatrin e Tetovës. Nga Ministria e Kulturës janë siguruar mjete, siç jam e informuar dhe në procedurë është thirrja publike. Për më shumë detaje, ju kisha lutur drejtohuni tek drejtori i Qendrës për Kulturë dhe Teatër në Tetovë”, deklaroi Stefkoska.

Pyetëm edhe drejtorin e Teatrit të Tetovës, Bekim Smaili. Tha se Ministria e Kulturës ju ka premtuar që punimet do të përfundojnë brenda 2 viteve. Ismaili nuk fshehë faktin se përballen me vështirësi të mëdha, shkaku i mospasjes së objektit.

“Na krijon shumë pengesa mos pasja e një objekti që do të jetë vetëm për ne. Edhe me bibliotekën e kemi të nijetin problem. Jemi në kontakt edhe me drejtoreshën, ata kanë problem të llojit se s’kanë ku t’i lënë librat , kurse ne kemi probleme të tjera, si të hapësirave dhe mos pasjen të një skenë amë. Skena e Teatrit të Tetovës është e Qendrës për kulturë, pra problemi është skena pastaj kemi problemin e vendit, të kostumeve, skenografisë, administratë”, tha Ismaili.

Në bazë informatave Teatri do të duhet të kushtojë rreth 26 milion euro ndërsa deri më tani janë harxhuar mbi 13 milion euro.