Forcat rezervë të paqeruajtësve të BE-së mbërritën të mërkurën në Bosnje-Hercegovinë, mes përshkallëzimit të tensioneve politike dhe sfidave ndaj institucioneve shtetërore nga udhëheqësit serbë të vendit.
Ushtarë italianë dhe çekë u ulën në aeroportin e Sarajevës dhe u pritën nga misioni i BE-së në Bosnje, i njohur si EUFOR. Në ditët në vijim pritet të mbërrijnë trupa rumune, helikopterë dhe furnizime të tjera ushtarake.Kjo lëvizje vjen një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ripohoi mbështetjen e fuqishme të aleancës për integritetin territorial të Bosnjës, pas veprimeve të udhëheqësit serb të vendit, Milorad Dodik.
Presidenti i entitetit të Republika Srpska ka ndërmarrë hapa për të dobësuar institucionet shtetërore, duke sfiduar autoritetin qendror dhe duke miratuar ligje që ndalojnë funksionimin e gjyqësorit dhe institucioneve të sigurisë në nivel shtetëror.
Në përgjigje të këtyre lëvizjeve, prokurorët shtetërorë të Bosnjës lëshuan urdhër-arrest për Dodikun dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë serbë. Dodik ka refuzuar urdhërin, duke deklaruar se nuk e njeh autoritetin e prokurorisë dhe nuk do të shfaqet në Sarajevë për t’u marrë në pyetje.
Kriza politike është përshkallëzuar pas dënimit të tij në shkallë të parë nga një gjykatë e Bosnjës më 26 shkurt, që e shpalli fajtor për kundërshtimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt. Dodik u dënua me një vit burg dhe ndalim nga aktivitetet politike për gjashtë vjet, por ka të drejtë apelimi.
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje mbetet figura kyçe për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995. Me tensionet në rritje, ndërhyrja e NATO-s dhe BE-së sinjalizon angazhimin ndërkombëtar për të ruajtur stabilitetin në vend.
© SYRI.net