Kryeministri Hristijan Mickoski ka ndërprerë publikisht për herë të dytë kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, në mes të një skandali mbi një donacion prej 800 mijë eurosh nga kompania serbe Unipromet. Aleanca për Shqiptarët e Taravarit ngre dyshime për pastrim parash, korrupsion dhe ndikim të huaj, duke kërkuar transparencë dhe hetim të plotë. Ata theksojnë se Tetova nuk është në shitje dhe paralajmërojnë se e vërteta do të dalë në shesh, transmeton Portalb.mk.
“Kryeministri Hristijan Mickoski për të dytën herë brenda dy muajve ndërpreu publikisht kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një konference për shtyp, duke e ofenduar jo vetëm si përfaqësues politik, por edhe si përfaqësues i qytetarëve të Tetovës. Ky akt nuk është thjesht mungesë respekti, por një tentativë për të mbuluar një skandal të pastër që ka për emër – donacioni prej 800 mijë eurosh nga një kompani serbe me bilanc të dyshimtë. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, si është e mundur që një kompani me pronar serb, e themeluar në fund të vitit 2023, me të hyra prej 2 milionë eurosh dhe fitim neto vetëm 50 mijë euro në vitin 2024, jep “donacion” prej 800 mijë eurosh për Komunën e Tetovës? Aleanca për Shqiptarët pyet publikisht se kush është Ratko Popoviq, pronari i kompanisë Unipromet, dhe çfarë kërkon realisht nga Tetova dhe nga kryetari Bilall Kasami? Kjo nuk është bamirësi. Kjo është marrëveshje e dyshimtë, që lind dyshime serioze për përfshirje të mundshme në pastrim parash, korruptim institucional, apo favore të fshehta, ndërtimin e Kishës Ortodokse në Tetovë nëpërmjet kanalizimit të donacioneve të maskuara si ndihma për komunën, apo shfrytëzimin e institucioneve komunale për qëllime të interesave të huaja në zemër të qyteteve shqiptare”, thonë nga ASH.Ata shtojnë se nuk është hera e parë që Bilall Kasami operon në këtë formë. Rasti i shitjes së parkingut të Tetovës nën emrin “donacion” është ende i freskët.
“Ajo që po ndodh është një model i rrezikshëm i keqpërdorimit të komunës si pronë private dhe shfrytëzimit të qytetit për marrëveshje të fshehta me ndikim të huaj. Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Komuna e Tetovës ransparencë të plotë mbi marrëveshjen me kompaninë serbe Unipromet, një hetim nga institucionet për origjinën e fondeve dhe përfitimet që parashihen në këmbim të këtij “donacioni”, por edhe një sqarim publik nga kryeministri Mickoski përse pengon kryetarin e komunës që të përgjigjet para qytetarëve. Aleanca për Shqiptarët
nuk do të lejon që qytetet shqiptare të shndërrohen në monedhë këmbimi të pazareve politike dhe ekonomike me kompani të lidhura me interesa të dyshimta nga rajoni. Tetova nuk është në shitje. Dhe shqiptarët nuk janë të verbër. E vërteta do të dalë në shesh shumë shpejt. Tetori është afër, shumë afër”, thuhet në reagim.
Bashkimi Demokratik për Integrim nga ana tjetër shpreh shqetësim dhe dënon fuqishëm siç thonë ata përuljen publike të radhës që kryeministri i vendit i bëri kryetarit të Komunës së Tetovës, në mesin e qytetit, edhe këtë herë përballë kamerave dhe opinionit të gjerë, duke mos e lënë të përgjigjet në pyetjen adresuar vetë atij.
“Kjo nuk ishte vetëm nënvlerësim personal, por një demonstrim i hapur i konceptit të dominimit monoetnik që është instaluar me shpejtësi në institucionet shtetërore. Njësoj si në rastin e Zhelinës, edhe në Tetovë po shkelet në publik autoriteti i një përfaqësuesi të zgjedhur. Kjo sjellje nuk është as spontane, as teknike, është thellësisht politike dhe e qëllimshme. Është realizim i premtimeve të dhëna nga ky pushtet për “t’u treguar vendin shqiptarëve”. Sot kjo po ndodh haptazi, përsëri: para syve të opinionit, në mes të Tetovës, në një ngjarje ku Kryeministri jo vetëm që dominon narrativën, por edhe hesht dhe poshtëron përfaqësues të zgjedhur vendorë, duke legjitimuar një logjikë të rrezikshme të “disiplinimit” politik. Investimi që po prezantohet në këtë rast, nuk është pjesë e buxhetit shtetëror, nuk vjen nga ndonjë program qeveritar apo politikë publike. Ai është një “dhuratë” e një kompanie private serbe, që përputhet plotësisht me rritjen e ndikimit të “botës serbe” në jetën institucionale të vendit: nga emërimi i Stoilkoviqit, vizitat e Dodikut dhe klerikëve me orientim antiperëndimor, deri te këto investime “të buta” që po shtrijnë ndikim të drejtpërdrejtë në vendbanimet tona. Ne nuk do të heshtim përballë kësaj. Përulja e një kryetari komune nuk është përulje e një individi. Është fyerje ndaj zgjedhësve, ndaj autonomisë lokale dhe ndaj barazisë qytetare. Është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe ndaj rrugës euroatlantike të vendit”, thonë nga BDI.
Ndërkohë, HUTA Tetovë, organizatë e përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare në rajonin tonë, shpreh shqetësimin lidhur me mënyrën në të cilën është prezantuar donacioni prej 800.000 euro nga Kompania Unipromet Çaçak, me pronar nga Serbia, Ratko Popoviq, për rinovimin e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, duke iu dhënë një konotacion ekskluzivisht monoetnik.
“Sipas dëshmisë mediatike, këtij projekti i jepet konotacion monotetnik për shkak siç potencohet që nga kjo godinë kanë dal shumë figura të shquara maqedone. Ne duam të potencojmë institucionet qendrore dhe lokale që ky objekt nuk i ka shërbyer vetëm popullit Maqedonas por edhe ati Shqiptarë, pasi që në këtë shkollë gjatë gjithë kohrave kanë mësuar edhe nxënës shqiptarë, por veçmas gjatë periudhës 1941-1945 në këtë godinë ka qenë e vendosur shkolla fillore e parë shqiptare “Tajar Tetova”, thuhet në reagim.
Ata i bëjmë thirrje Komunës së Tetovës dhe donatorëve privatë:
1. Të ndërmerren hapa konkretë për të përfshirë historinë shqiptare të këtyre godinave
2. Të pastrohet komunikimi publik nga elementë që mund të interpretohen si përkrahje e ndarjes identitare në institucion.
3. Transparencë në përmbajtjen e marrëveshjes, kushtet që mund të përfshijë, si dhe ndikimin e mundshëm të saj në komunitet.
Në videon më poshtë, në minutën 4:27 është momenti i ndërprerjes së Kasamit nga Mickoski.